Arbëri

“Termokosi” lë pa ngrohje banorët e kompleksit “13-katëshja” në Mati 1

Qëndrojnë të dyja në të njëjtin vend, mirëpo nuk po e kryejnë funksionin e njëjtë.

Kjo pasi “Termokosi” ka vendosur që të mos i fusë fare në sistemin e ngrohtores së qytetit, kompleksin “13-katëshja”, në lagjen “Mati 1”, raporton emisioni “038”.

Si rrjedhojë e kësaj banorët e këtij kompleksi detyrohen të ngrohen me ngrohje private gjë e cila po iu kushton shumë.

“Sa i përket çështjes së ngrohjes tanimë në objektin ku unë jetoj, ne ngrohemi me një nxehje klasike që shpenzon shumë energji elektrike. Por që njëkohësisht edhe qëndrueshmëria e ngrohjes është minimale, prapa meje shihen radiatorët që janë të vendosur por janë jashtë funksionit të ngrohjes”, tha Drizan Shala, anëtar i Këshillit të Banorëve.

Shala deklaron se prej që është ndërtuar kompleksi nuk është kyç në sistemin e ngrohjes së qytetit, duke mbetur kompleksi i vetëm në atë zonë pa ngrohje.

Edhe përkundër faktit që në vitin 2016 banorët kishin dërguar peticionin me 600 nënshkrime në “Termokos”.

“Kërkesa që Këshilli i Banorëve e kanë bërë në vitin 2016, përmes një peticioni që e kanë nënshkruar afro 600 kryefamiljar që jetojnë në këtë ndërtesë. Nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim nga ana e ‘Termokosit’, as zyrtarisht as jo zyrtarisht. Tani ka filluar prapë një peticion nga ana e banorëve që t’i kërkohet drejtorit të ri të ‘Termokosit’. Pra t’i kërkohet një përgjigje adekuate në lidhje me atë se pse ka mbetur pa ngrohje kompleksi banesor ’13-katëshja’, marrë parasysh që të gjitha objektet përreth janë të kyçur në sistemin e ngrohjes vetëm kjo ndërtesë jo”, tha Shala.

Sipas Shalës objekti i plotëson të gjitha kushtet për kyçje në “Termokos”, duke shpresuar që në afatin optimal ngrohtorja ta bëjë inspektimin e ndërtesës dhe të fillojë me kyçje.

“Po shpresoj që në afatin më optimal gjatë këtyre ditëve në vijim ‘Termokosi’ të dalë dhe ta bëjë inspektimin e kësaj ndërtese se a i plotëson të gjitha normat përkatëse, bazuar në atë që i plotëson sepse është i mbuluar ne sistemin e brendshëm, pra mungon vetëm një nënstacion ku pastaj ngrohja të funksionojë edhe në objekt, deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje”, tha Shala.

E në anën tjetër, nga “Termokosi” e thonë të kundërtën. Sipas tyre, ka edhe disa ndërtesa në atë pjesë që nuk janë kyçur në ngrohtoren e qytetit dhe jo vetëm kjo ndërtesë.

“Në atë zonë janë edhe shumë objekte të tjera banesore të cilat nuk janë të kyçura në sistemin tonë të ngrohjes. Aktualisht ‘Termokosi’ është duke bërë një analizë dhe është konsulenca ndërkombëtare ajo që po bën. Varësisht nga studimi që do të dalë brenda pak muajsh, varësisht nga rezultatet e këtij studimi ai objekt do të përfshihet në sistemin e ngrohjes”, tha zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka.

Pa dhënë datë të saktë të përfundimit, Uka tha se posa të përfundojë studimi, “Termokosi” me mjete vetjake do ta bëjë kyçjen e ngrohjes në këtë kompleks.

“ Deri më tani nuk kemi pasur mundësi t’i kyçim në rrjetin e ngrohjes sepse ka qenë diskutabile kapacitetet që kemi në dispozicion, atë aneks të lagjes në rrugën ‘B’. posa të vjen studimi do të ndërmerren masa dhe me mjete vetjake të ‘Termokosit’ do të bëhet kyçja”, tha Uka.

“13-katëshja” është ndërtuar në vitin 2007 dhe deri më tani numëron rreth 2.000 banorë që sot jetojnë në këtë ndërtesë, e të cilët aktualisht ngrohjen po e sigurojnë vetë.