Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në projektin “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç”, është përfshirë edhe Komuna e Prishtinës.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se të mërkurën, ministri Arben Vitia do të marrë pjesë në fillim të programit, ku do të përfshihet edhe Komuna e Prishtinës.
“Takimi me përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës do të mbahet në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në ora 11.30”, thuhet në njoftim.
Ky dikaster ka njoftuar se programi i vizitave në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmijës ka filluar si pilot program në vitin 2013.
“Programi i vizitave në shtëpi për nëna dhe fëmijë ofron shërbime shëndetësore dhe këshilluese për shtatzëna, lehona, të porsalindur(prej ditës së tretë pas lindjes) dhe fëmijë deri në moshën tri vjeçare. Në mbështetje të këtij programi është ofruar bashkëpunimi nga UNICEF-i dhe në vitin 2015 është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit në periudhë tre vjeçare në mes të MSh dhe UNICEF-it. Këtij programi tani i bashkëngjitet edhe Komuna e Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Ky program është zgjeruar në komuna, duke u zbatuar në 25 prej tyre deri në dhjetor të vitit 2022.
“Gjatë vitit 2022, në 25 komuna deri në muajin dhjetor të vitit 2022, janë realizuar 37 mijë e 335 vizita në shtëpi”, ka bërë të ditur MSH-ja.
Përmes këtij programi thuhet se janë identifikuar shumë fëmijë të pa vaksinuar, me ngecje në zhvillim, identifikim i depresionit postpartal te lehonat, si dhe rastet të cilat kanë pas nevojë për referim dhe trajtim të mëtutjeshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.