Arbëri

Havolli zgjidhet kryeshef i “Prishtina Parking”, Vetëvendosje akuzon për emërim politik

Sokol Havolli është kandidati me më së shumti pikë në garën për kryeshef të ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”, ka bërë të ditur të martën kjo ndërmarrje duke shpallur rezultatet finale të konkursit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë opozitare në kryeqytet, Lëvizjes Vetëvendosje, që ka akuzuar pushtetin për emërim politik.

Havolli ka qenë këshilltar i kryeministrit, në kohën kur Qeverinë e udhëhiqte Isa Mustafa i LDK-së. Më pas ai ka ushtruar funksionin e zëvendësguvernatorit. Është konsideruar vazhdimisht si njeri i afërt i kësaj partie.

Në listën e rezultateve finale, Havolli prin me 38.75 pikë, duke lënë prapa kandidatët tjerë.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, sipas rezultatit të treguar gjatë procedurave rekrutuese dhe në bazë të dokumentacionit, që posedon, si kandidat potencial dhe me mundësi zgjedhje për këtë vend pune, cakton kandidatin me më së shumti pikë”, thuhet në njoftim të “Prishtina Parking” që ka theksuar tutje se kandidatët e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afat prej tetë ditësh.

Publikimi ka nxitur reagim të Vetëvendosjes. Gëzim Sveçla, kryetar i grupit të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se “në Kosovë çdo gjë mund të ndryshojë, përveç LDK-së”.

“Gjenerata të ndryshme, mendësi e njëjtë: kapja, familja, partia, nepotizmi. Garda e re = garda e vjetër. Paketim i njëjtë”, ka shkruar ai në Facebook duke publikuar një deklaratë të para një muaji, kur kishte paralajmëruar zgjedhjen e Havollit në krye të ndërmarrjes.

Ndërkaq, i kontaktuar nga KOHA për akuzat e VV-së, Havolli ka thënë se “nuk merret me çështje të politikës”.

Në fund të muajit gusht, Liridon Restelica ishte shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të “Prishtina Parkingut”.