Arbëri

Sot bëhet përurimi i rinovimit të “Soliterëve”, por puna përfundon pas dy javësh

Të martën (18 tetor) pritet të bëhet përurimi i rinovimit të “Soliterëve”, megjithëse puna realisht është gati e përfunduar vetëm në njërën nga 5 ndërtesat.

Përderisa më parë u tha se intervenimet në këto ndërtesa do të përfundojnë më 30 shtator, Ndërmarrja Publike Banesore tani thotë se ky afat është shtyrë për një muaj, deri më 30 tetor.

E kjo do të shtyjë edhe ngrohjen qendrore për banorët e “Soliterëve”.

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Termokos”, Fisnik Osmani, ka deklaruar se ngrohja në këto ndërtesa nuk do lëshohet deri sa të përfundojë renovimi i paraparë.

Drilon Pireva, nga departamenti i mirëmbajtjes në NPB, thotë se përgjatë punimeve, Fondi Amerikan MCC ka vendosur të shtojë fondet për rreth 1 milion euro për të bërë ndërrimin e radiatorëve dhe pompave termike.

Sipas tij, kjo ka qenë edhe arsyeja pse është shtyrë afati i përfundimit të punimeve.

“Këto punime dihet se kanë qenë proces i gjatë dhe i vështirë. Në secilën njësi banesore është dashur të intervenojmë për shkak të largimit të dritareve. Është dashur me secilin banorë me pas komunikim gjatë gjithë kohës për të kryer të gjitha pozicionet brenda njësive banesore dhe kjo e ka zgjatë renovimin. Diçka që duhet pasur parasysh është se për rreth 1 milion euro është shtuar projekti, janë bërë edhe disa punime shtesë. Gjatë intervenime është parë që duhet të bëhen edhe disa punime shtesë, siç janë ndërrimi i radiatorëve, vendosja e pompave termike dhe disa rregullime në aspektin e statikës së objektit. Për këtë arsye prej 30 shtatorit, data është zhvendosur me 30 tetor, dhe në këtë datë praktikisht kryhen punimet e ‘Soliterëve’”, ka thënë Pireva

Megjithëse nuk ka përfunduar ende fasada e jashtme, Pireva thotë se mungesa e ngrohjes nuk do vërehet shumë, pasi izolimi tani është më i mirë.

“Punimet përfundojnë më 30 tetor, është një afat prej 15 ditësh që po shtyhet ngrohja nga Termokosi, por duhet të kihet parasysh që për dallim nga vitet e kaluara, izolimi i këtyre ndërtesave është jashtë zakonisht tani i mirë dhe temperaturat janë të mira, normale dhe të cilat nuk do të kenë ndonjë efekt brenda hapësirave të banimit. Besojmë që për 15 ditë e kemi edhe mirëkuptimin e banorëve që të shtyhet puna e ngrohjes qendrore.”

E këtë nuk po e mirëpresin qytetarët.

Për këtë projekt i cili ka nisur në korrik të këtij viti, fillimisht ishin ndarë 2.8 milionë euro. 60 për qind e mjeteve janë financim nga fondi amerikan, 30 për qind financim nga Komuna e Prishtinës, ndërsa 10 për qind do t’i paguajë NPB, me kushtin që banorët t’ua kthejnë shumën prej 280 mijë eurosh në një periudhë prej 7 vjetësh.

Gjatë punimeve, MCC-ja ka parë të nevojshme investim edhe për 1 milion euro më shumë, për kryerjen e punëve shtesë në këto ndërtesa.

Në përurim pritet të jetë edhe vajza e Medeleine Albirght, pasi këto punime janë investim i fondeve amerikane.