Në pranverë në Prishtinë do të vendosen biçikletat e para publike, ka treguar nënkryetari i kryeqytetit Alban Zogaj.
Zogaj në emisionin “Sot” të KTV-së ka thënë se janë konsultuar me ekspertët e “Dutch Cycling Embassy”.
“Kemi ndarë buxhet për biçikleta publike, e Prishtina në pranverë të vitit të ardhshëm, do të ketë biçikletat e para. Do të testojmë qysh po sillen qytetarët e Prishtinës me biçikleta, e varësisht nga kjo do të shtojmë numrin. Fillimisht do të vendosim 10 stacione me nga 10 biçikleta. Diku 100 biçikleta publike moderne me GPS e të sigurta e të forta kundër vandalizmit. Do t’i japim mundësi qytetarëve të Prishtinës të kenë një mundësi shtesë për të udhëtuar”, ka thënë Zogaj.
Për trotinete elektrike ai ka thënë se kanë bërë gati rregulloren dhe se do të votohet ajo në Kuvend. Ai ka thënë se nuk guxon të drejtohet nga personat nën 16 vjet dhe se është e caktuar sa kilometra orë mund të drejtohet e po ashtu edhe zonat se ku do të drejtohet.
“Në shesh është e ndaluar të drejtohet pasi mund të vijë tek aksidenti, pasi ka fëmijë”, ka thënë Zogaj.