Arbëri

Grupi “Qytetarët Aktivë” kërkon anulimin e vendimit për mbajtjen e “Sunny Hillit” në Gërmi

Sunny Hill - Festival

Organizata joqeveritare “Qytetarët Aktivë”, ka kërkuar nga institucionet e shtetit që të anulohet vendimi për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në ambientet e parkut të Gërmisë.

Sikurse më datë 26 qershor, edhe në fillim të muajit gusht, pak ditë para se të nis ky festival, “Qytetarët Aktivë” qëndron kundër këtij vendimi për çka thotë se procedura e lejimit të mbajtjes së këtij festivali brenda një zone të mbrojtur si Gërmia, ka shkelje procedurale dhe materiale.

“Duke pasur parasysh se festivali Sunny Hill pritet të mbahet nga datat 4-7 gusht 2022, mos-ofrimi i qasjes së publikut në këtë vendim paraqet haptazi mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e organeve të komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas kësaj OJQ-je, qasja e komunës së Prishtinës në këtë drejtim përveç se është shqetësuese në kuptimin e transparencës dhe llogaridhënies, është në kundërshtim të plotë me frymën e dispozitave ligjore të lartcekura.

“Se komuna e Prishtinës, nuk është duke përmbushur obligimin kushtetues për të evituar dëmet në peizazhin e mbrojtur të Gërmisë, vërtetohet me vendimin me referencë nr. 07-353/02-146960/22, i lëshuar nga ana e Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Prishtinës, e i cili më vonë me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është anuluar. Ky vendim ishte juridikisht i pambështetshëm, pa strukturën e përcaktuar me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, dhe mbi të gjitha në shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës dhe Rregulloren e Brendshme të Peisazhit të Mbrojtur të Gërmisë”, thuhet në njoftim.

“Qytetarët Aktivë” më tej ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk po vepron në përputhje me detyrimin kushtetues për të mbrojtur ambientin.

“Ne gjithashtu i rikujtojmë inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, se në bazë të këtij ligji, procedura inspektuese për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, ndër të tjera mund të fillojë në çdo rast të dyshimit të inspektorit. Nga kjo rrjedh, se inspektorët e nivelit qendror, nga njoftimi që marrin nga informacione të ndryshme, qoftë përmes medieve apo burimeve tjera, e kanë për obligim ligjor që të iniciojnë procedurën e mbikëqyrjes inspektuese. Nga kjo nuk gjen përjashtim as rasti i mbajtjes së festivalit Sunny Hill”, thuhet më tej në komunikatë.