Arbëri

Komuna bën thirrje për lirim të hapësirave në afërsi të “Tregut të automjeteve”

Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje që shitësit ambulantë të lirojnë hapësirat publike, në trotuare e rrugë, në afërsi të “Tregut të automjeteve” në zonën industriale në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

Në një njoftim në Facebook, Komuna e Prishtinës ka thënë se më 31 korrik do të nisë aksionin nën asistencën e Policisë për lirimin e hapësirave.

Rrugët “Dervish Çollaku”, “Epiri” dhe “Aziz Abrashi” janë rrugët dhe trotuaret që duhet të lirohen.

“Luten të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të Tregut të automjeteve, për shkak se pas datës së cekur më lartë, në asnjë mënyrë nuk do të lejohen të operojnë jashtë ambienteve të Tregut dhe në hapësira të cilat janë të destinuara për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve. Aksioni është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme të cilat ndërlidhen me sistemimin e shitësve ambulantë brenda hapësirave të përcaktuara si tregje për shkak se, përveç uzurpimit të hapësirave publike, shitja e produkteve ushqimore në kushte të papërshtatshme higjienike përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve të Kryeqytetit dhe më gjerë”, thuhet në njoftim të Komunës.

Komuna e Prishtinës ka thënë se konsideron që vendimi ndihmon sado pak në “transformimin e Prishtinës”.