Arbëri

Rama lavdëron testin e dytë: Lëvizja do të jetë pa pagesë në qarkoren njëkaheshe

Dita e Evropës, Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se testimi i dytë i unazës qarkore njëkahëshe të shtunën ka shkuar më mirë se në testimin e kaluar. Ai ka dhënë detaje për testimin, ndërsa ka paralajmëruar linjë të veçantë, pa pagesë, të trafikut urban në qarkoren njëkahëshe.

“Testimi po shkon shumë më mirë se herën e parë. Kjo qasja e trafiku është shumë më e lehtë dhe më e shpejtë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se tash e kemi edhe një rrugë e cila është e posaçme vetëm për biçikleta. Kryeqyteti e ka fituar një hapësirë shumë më të madhe për qytetarët e Prishtinës... ne kemi bërë analiza me ekspertë ndërkombëtare dhe e kanë parë që çdo matje tregon që ka përmirësim të dukshëm dhe pika kryqe është që ne po e fitojmë hapësirën të cilën e kemi humbur në relacion me makinat, po krijojmë një mundësi tjetër, alternativë më të lehtë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama për KosovaPress.

Rama e ka cilësuar të arsyeshme zgjatjen e sheshit “Nëna Tereza” deri te Katedralja.

“Këtu sot ka evente të ndryshme, luhet futboll, basketboll. Kemi ngjarje të ndryshme për ta festuar pranverën, kryeqytetin. Është një numër i madh i aspekteve pozitive që janë duke ndodhur në kryeqytet.... deri sot qytetarët nuk kanë pasur ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre, ku të ecin lirshëm, tash kemi hapësira të ndryshme që janë të sigurta”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, trafiku urban për gjatë vikendit ka qenë pa pagesë për të shtuar fluksin e qytetarëve të dalin pa makinat e tyre, ndërsa për qarkoren njëkahëshe ka shtuar se trafiku urban do të jetë pa pagesë.

“Ne në qarkoren që sillet përreth, do të kemi autobus të dedikuar të cilin do ta bëjmë pa pagesë. Qytetarët mund të kenë mundësi të lëvizin pa pagesë përgjatë qarkores njëkaheshe, nuk do të kenë nevojë të marrin makinën e tyre në qendër të Prishtinës”, tha ai.

Të shtunën ka nisur testimi i dytë i kthimit të rrugëve kryesore të qendrës së Prishtinës në rrugë njëkahëshe. Testimi i parë pati kaluar nën shumë diskutime e kaos.