Arbëri

Zymi: Marrëveshja e komunës me “Sunny Hill” është problematike

Qytetarja aktive, Flutura Zymi ka thënë se marrëveshja për “Sunny Hill” është shqetësuese.

Sipas saj, një biznesi të i jepen për 99 vjet 70 hektarë pa asnjë kompensim, është problematike.

Ajo në emisionin “038” ka thënë se komuna ka të drejtë vetëm 60 ditë ta ketë në dispozicion këtë hapësirë për aktivitetet e saj, ku 30 për qind të fitimit e merr komuna dhe 70 për qind biznesi.

“Është shqetësuese sepse asetet komunale shtetërore janë asete, pasuri që duhet të shfrytëzohen që të merren të holla që pastaj të investohen në mirëqenien e qytetarëve. Festivalet e vogla mund të zhduken për shkak të këtij festivali. Plus është në tokë bujqësore, gjë që është shqetësuese. Ne si organizata kemi gjithmonë problem me shfrytëzimin e hapësirave publike. Është e pabesueshme që një biznesi t’i jepet kështu prona si për bamirësi”, ka thënë ajo.

Zybi ka thënë se ajo tokë është aset i përbashkët i të gjithë qytetarëve.

Sipas saj, edhe ditët që janë marrë vesh komuna t’i shfrytëzojë janë shumë të pakta, përfshirë këtu që thuhet se nuk guxon të ketë evente tjera që i bëjnë konkurrencë festivalit.

Ajo ka thënë se kjo ka krijuar precedent të keq.

Ndërkaq për krasitjen e drurëve dekorativë në shesh, ajo ka thënë se nuk ka pasur ndonjë raport nga drejtoria përkatëse.

E për parkun e aventurave, Zymi ka thënë se kanë kërkuar që të pezullohet shqyrtimi i kësaj lënde.