Arbëri

35 mijë euro në vit për lehonat në Prishtinë që jetojnë me skemë sociale

Jeton me qira dhe ka 5 fëmijë.

Lavdije Mehmetaj, e cila së bashku me familjen jeton vetëm nga sociali, është në pritje edhe të dy binjakëve.

Me lindjen e tyre, ajo pritet t’i gëzojë 500 euro si dhuratë nga Komuna e Prishtinës.

Ky është edhe propozim-vendimi i cili pritet të hidhet për votim në seancën e Kuvendit Komunal që do të mbahet gjatë ditës së martë.

Mehmetaj i gëzohet këtij lajmi, duke thënë se çfarëdo ndihme për ta është e mirëseardhur.

“Unë i kam pesë fëmijë dhe i pres edhe dy, jam shtatzënë në muajin e tetë. Ndihma nga shteti do të ishte e pranueshme nëse ata e shohin të arsyeshme, sepse kushtet janë shumë të dobëta, nuk mundesh të jetosh me 5 fëmijë me 180 euro. Çka do që na ndihmon është e mirëseardhur për një familje 8-anëtaresh. Nëse ofrohet kjo, 500 euro do të kishte qenë një shumë prapë sado pak për një familje është e mjaftueshme, sepse edhe vetë po e shihni çfarë situate është”, thotë Mehmetaj.

Megjithëse është në pritje të dy foshnjave, ajo do të përfitojë vetëm 500 euro, njësoj sikur nënat që presin vetëm një fëmijë.

Komuna e Prishtinës thotë se një gjë të tillë nuk e lejon Rregullorja e Financave.

Përkundër premtimit të kryetarit ,Përparim Rama, që do të ketë pako-dhuratë për të gjitha nënat lehona, nga ky propozim pritet të përfitojnë vetëm nënat të cilat jetojnë me skemë sociale.

Në Komunë të Prishtinës janë afro 1500 familje apo 5739 banorë që jetojnë nga sociali, dhe sipas përllogaritjes së Komunës, rreth 70 gra nga këto familje lindin gjatë një viti.

Për këtë, ata kanë planifikuar buxhet prej 35 mijë eurosh për këtë vit.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti, jep detaje të tjera rreth këtij propozimi, që do t’i përfshijë nënat lehona që kanë lindur nga 1janari i 2022-ës.

“Përveç këtyre vizitave në terren që kemi zhvilluar dhe kërkesave të qytetarëve, ne kemi bërë edhe një hulumtim me Fakultetin Filozofik për të parë nevojat e familjeve me skemë sociale, dhe nga numri i respondentëve ka rezultuar se të ardhurat e tyre janë nga 100 deri në 300 euro. Ne e kemi parë të udhës që t’ju ndihmojmë këtyre nënave dhe fëmijëve që vijnë në jetë që ta kenë një trajtim më të mirë, që t’i përmbushin nevojat bazike”, thotë Sahiti.

Sahiti tregon se cilat kritere duhet plotësuar për të aplikuar për këtë shumë.

“Do të jetë në momentin që aplikon, është lehonë, aplikon, duhet të ketë një vendbanim në Prishtinë, duhet të jetë e regjistruar në regjistrat civilë dhe normalisht bëhet pjesë e skemës sociale. Vetëm nga viti 2022, si ide e kemi realizuar këtyre muajve, pra kjo ndihmesë i përfshin vetëm fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit 2022”, thotë Sahiti.

Ajo është optimiste që ky propozim-vendim do të votohet në Kuvendin Komunal, pasi ka gjetur përkrahje nga të gjithë përfaqësuesit e asamblistëve, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa.

Megjithëse e mirëpresin, qytetarët mendojnë se nga kjo do të duhej të përfitonin të gjitha nënat që sjellin në jetë fëmijët.

Sipas Komunës së Prishtinës, njëherë nuk ka planifikime që nga këto ndihmesa të përfitojnë edhe nënat e tjera lehona.