Banorët e lagjes “Lakërishta”, që po kundërshtojnë tash e sa ditë “Prishtina Parking”, kanë thënë se gjatë ditës së enjte janë kërcënuar nga një punëtor i kësaj ndërmarrjeje.
Pasi kanë dhënë deklaratën në Polici, ata për KOHËN kanë thënë se janë kërcënuar haptazi me jetë, nga një person që është prezantuar si shoferi i drejtorit të Prishtina Parking.
Jahë Balaj ka thënë se ndihet i rrezikuar pasi ky person me ngulm ka kërkuar që të futej në veturën e tij.

“Një fjalë e urtë thotë kur nuk gjuajnë ujqit që në këtë rast është shteti, gjuajnë hienat. Sot na erdhi tipi dhe tha ‘kush është më i madhi këtu’, i thash që jam përfaqësuesi unë, e ai u prezantua si shoferi i bosit, drejtorit të ‘Prishtina Parking’ dhe tha ose ‘keni me pranu ose keni me pësu’. Madje më tha ejani deri në makinë me mu se i zgjedhim këto punë. I thash ne nuk kemi punë me ju, kemi punë me shtetin. Vazhdimisht insistonte më thoshte hajde me mu në makinë. Ai u paraqit si Granit Prestreshi. Punëtor i ‘Prishtina Parking’, shofer i bosit, drejtorit të Prishtina Parking”, ka thënë Balaj.
Ai ka frikë se ky rast nuk do të përfundojë pa pësuar dikush nga banorët apo familjarët e tyre.
“Derisa nuk reagon shteti siç duket do të vritet dikush ose në rrugë diku se ai na kërcënoi hapur. Unë tani jam i kërcënuar të dalë rrugëve, ose fëmija dhe gruaja ime. Kjo nuk ka asnjë kuptim, janë të lajmëruar Policia, MPB-ja, askush nuk reagon. Kur nuk funksionon shteti, bandat e kapin shtetin në dorë dhe vijnë të na kërcënojnë privatisht”, ka shtuar ai.
I kontaktuar nga KOHA, drejtori ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica ka deklaruar se nuk ka shofer personal të tij, megjithatë ai ka konfirmuar se punëtori i ndërmarrjes ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Graniti ka qenë sot në lagjen ‘Lakërishtë’ ku si shofer e ka ofruar një punëtor në ‘Lakërishtë’, ku janë edhe punëtorët tjerë. Por në asnjë rast ai nuk ka folur e as nuk ka kërcënuar dikë. E pyeta dhe këtë punëtorin tjetër që ka qenë me të dhe ai më tha të njëjtën gjë. Porse ai nuk është shoferi im”, ka thënë Restelica.
Banorët e “Lakrishtës” janë duke refuzuar vendosjen e gjobave dhe të bllokadave nga ana e “Prishtina Parkingut” me arsyetimin se është e jashtëligjshme. Në këtë mënyrë, ata po refuzojnë të paguajnë dënimin që po iu shqiptohet nga kjo ndërmarrje, përderisa nuk po lejojnë që ato të merren nga “Merimanga”.