“Prishtina Parking” po ndan gjoba e qytetarët e Prishtinës thonë se kjo masë është autorizim vetëm i Policisë. Ndërmarrja insiston se kompetenca e saj për gjoba buron nga rregullorja e Komunës për organizimin dhe shfrytëzimin e vendparkingjeve publike
Prishtinë, 27 mars - Në rezistencë ka hasur vazhdimisht në disa lagje të ndryshme të Prishtinës shtrirja e veprimtarisë së “Prishtina Parking”.
Arsye pse e kundërshtojnë, siç thotë banori i lagjes “Lakërishte”, Lahë Balaj, është se kompania komunale, duke vendosur gjoba e bllokada, po e bën punën e autoriteteve publike.
“Unë kërkoj ligjshmëri. Sa më takon mua, unë jam i sigurt se në Ligjin për Rregullimin e Trafikut Rrugor çdo vendim për gjobë, për bllokim ose për zhvendosje e merr policia. Nuk është me rëndësi merimanga e cilës kompani është, por vendimin e merr policia, gjobën e shkruan policia, sipas atij ligji. Sot që bllokohen makinat nuk ka vendim policor, nuk ka tiketë nga policia që është shkelur ligji, sepse Ligji për Trafikun Rrugor nuk e njeh këtë pjesë të parkingut të ndaluar për parkim e policia nuk mund të shkruaj tiketë përderisa ti s’e ke shkelur ligjin”, ka deklaruar Balaj.
Policia e Kosovës, pa u përgjigjur qartë nëse kjo kompani po hyn në punët e saj, ka thënë se policia vepron në përputhje me ligjin.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e Policisë së Kosovës (PK) janë të përcaktuara me ligj, andaj Policia e Kosovës veprimet e saja në të gjitha rastet i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë edhe në rastin konkret për rastet apo çështjet që, sipas procedurave ligjore, bien në domen dhe përgjegjësi të PK-së. Për informacione lidhur me çështjen rreth projektit të “Prishtina Parking” mund t’i referoheni autoritetit kompetent, Komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Gjobat po shqiptohen nga punonjësit e “Prishtina Parkingut”, ndërsa nga Komuna thonë se Inspektorati është duke i përmbushur obligimet që i ka.
“Drejtoria e Inspektoratit në përputhje me detyrat e përcaktuara me Rregulloren e Komunës lidhur me mbikëqyrjen e NPL ‘Prishtina Parking’, së paku në tri raste ‘Kodra e Diellit’, ‘Lakërishte’ dhe ‘Qendër’ ka pezulluar përkohësisht punën e kësaj kompanie duke kërkuar inventarizimin, sinjalizimin dhe njoftime shtesë për banorët rezidentë”, ka thënë Florian Dushi, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.
Në “Prishtina Parking” kanë thënë se operimi i tyre është në përputhje me Ligjin për rregullat e trafikut rrugor, që parasheh që personat e autorizuar të komunës mund ta bëjnë mbikëqyrjen e parkimit të mjeteve.
“Mbikëqyrjen e parkimit të mjeteve në vendet në të cilën është e kufizuar kohëzgjatja, e kryejnë përfaqësuesit e autorizuar nga Komuna. Kjo nënkupton që përveç Policisë këtë veprimtari mund ta ushtrojë Komuna gjegjëse apo ta autorizojë një institucion tjetër, e që në këtë rast Kuvendi Komunal ka miratuar rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e vendparkingjeve publike, neni 4 i kësaj rregulloreje autorizon NPL ‘Prishtina Parking’ SH.A. që të menaxhojë me të gjitha hapësirat publike të destinuara si vendparkingje publike, gjithashtu neni 21 i kësaj rregulloreje autorizon ndërmarrjen që të bllokojë-bartë/zhvendos automjete që janë në kundërshtim me këtë rregullore”, thuhet në përgjigjen e “Prishtina Parking”.
Neni 21, që i referohet “Parking Prishtina” parasheh që vendimet për dënimet mandatare e zhvendosja e veturave merren nga Inspektorati i Komunës. Në të nuk përmendet kompania.
Ndërkaq, për dispozitat e tjera ndëshkimore Rregullorja nuk e specifikon se kush i shqipton ato.
Deri më tani, sipas tyre, “Prishtina Parking” nuk ka pranuar asnjë padi nga qytetarët.
Që nga viti 2016, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka edhe rregullore që parasheh se te ndërtesat me bashkëpronësi secilës banesë i takon minimum një parking.
E në pyetjen se çka ka bërë për zbatimin e kësaj rregulloreje, Ministria ka thënë se ka monitoruar dhe i ka inkurajuar komunat për regjistrim të shoqatave në bashkëpronësi.
“Për Rregulloren e Komunës së Prishtinës për parkingje në Prishtinë, ne si divizion i banimit nuk kemi asnjë informatë se a është shqyrtuar në aspektin e ligjshmërisë nga MMPHI-ja. Ne si divizion japim mendim profesional mbi këto dokumente, por që nuk japim mendim ligjshmërie. Kjo informatë duhet të kërkohet përmes Ministrisë përgjegjëse për Administrimin e Pushtetit Lokal”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MMPHI-së.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe MMPHI-ja e kanë hedhur fajin te njëra-tjetra kur janë pyetur nëse Rregullorja për ndërmarrjen “Prishtina Parking” është e ligjshme.