Donjeta Sahatçiu është emri që Partia Demokratike e Kosovës ka caktuar për pozitën e nënkryetares së Komunës së Prishtinës.
Të mërkurën, kjo parti ka prezantuar emrat e kabinetit për qeverisje me LDK-në në kryeqytet.
Pos Sahatçiut, PDK-ja do të ketë edhe Drejtorinë e Arsimit që do të udhëhiqet nga Besiana Musmurati, ajo e Shërbimeve Publike nga Ilirik Musliu, ajo e Sportit nga Granit Rugova dhe ajo e Bujqësisë nga Plator Gërdovci.
Uran Ismaili i PDK-së ka thënë se drejtuesin e drejtorisë së Kulturës do ta caktojë javën e ardhshme.
“Kur nisa fushatën në Prishtinë, isha i vendosur që fushata ime dhe oferta jonë të jetë për qytetin e orientuar drejt të ardhshmes. Për atë që kemi thënë Prishtinën e së ardhmes. Programi e vizioni im për qytetin ishte i thjeshtë e transformativ. Prishtinë e gjelbër, me ekonomi e shërbime digjitale”, ka thënë Ismaili. “Më 5 janar kemi bërë një pajtim për drejtoritë e qeverisjen me LDK-në dhe me kryetarin Përparim Rama. Jemi dakorduar që PDK-ja të drejtojë pesë drejtori dhe ta ketë nënkryetarin. Dua të falënderoj kryetarin Rama por edhe udhëheqësinë e LDK-së në Prishtinë për frymën bashkëpunuese”.
Edhe
Lushaku pranon postin e nënkryetares së Prishtinës: Ndiej përgjegjësi dhe privilegj
Donjeta Sahatçiu ka falënderuar PDK-në për besimin.
“E vlerësoj guximin e PDK-së dhe aktivistëve që na kanë mbështetur ngushtë në këtë rrugëtim, duke më besuar mua detyrën e nënkryetares për të çuar përpara Prishtinën digjitale dhe të gjelbër. Nuk vi me një bagazh politik siç e dini, jam me një bagazh që kam dhënë në sektorin privat. Kjo më nderon dhe më bën krenare dhe më forcon në stigmat që dua t’i sfidoj”, ka thënë Donjeta. “Vendosja e një gruaje në këtë pozitë nuk është simbolikë, është një hapje për transformim të së ardhmes dhe mendësisë. Kemi qëllime të përbashkëta me Ismailin dhe do kemi mbështetjen e tij të plotë pavarësisht ngjyrave politike”.
Uran Ismaili ndërkohë ka treguar se Blerand Stavileci asnjëherë nuk kishte pasur ambicie për pozitën e nënkryetarit.
“Blerand Stavileci është mik i imi, nuk ka pasur asnjëherë ambicie për këtë pozitë. Donjeta është profesioniste e denjë dhe nuk ka qenë e arsyeshme të mendohet një emër tjetër. Më përpara do i jap hapësirën një gruaje se një politikani”, tha Ismaili.
LDK-ja mori pushtetin në kryeqytet pasi Përparim Rama fitoi ndaj VV-së në balotazh në vjeshtë. Shumicën në Kuvendin Komunal kjo parti e siguroi pas marrëveshjes në heshtje me PDK-në.
Kryetari Rama javë më parë kishte publikuar pjesëtarët e kabinetit që vijnë nga LDK-ja.
Edhe
Rama shkarkon nënkryetaren e Prishtinës nga radhët e PDK-së, në vend të saj emëron një të LDK-së
Nënkryetar, pos Sahatçiut, do të jetë edhe Alban Zogaj. Arbër Sadiki është drejtor i Urbanizmit, Mimoza Sylejmani e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Krenar Xhaferi drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Dorutinë Maloku drejtoreshë e Pronave, Donat Lushtaku drejtor i Kadastrit, Adelina Sahiti drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, Izet Sadiku drejtor i Shëndetësisë, Valbona Makolli drejtoreshë e Financave, Florian Dushi drejtor i Inspekcionit, Donika Çetta drejtoreshë e Parqeve dhe Bersant Beka drejtor i Administratës.
Më 7 dhjetor të vitit të kaluar, Rama ka marrë postin e kryetarit të Prishtinës.