Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu me arsyetimin se ka ngecje në fushën e digjitalizimit. LDK-ja dhe PDK-ja janë në koalicion në kryeqytet dhe Sahatçiu është zyrtarja e radhës që shkarkohet nga Rama. Ditë më parë u shkarkua edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, po ashtu zyrtar i PDK-së. Njoftimi për shkarkimin e Sahatçiut u bë në ditën kur PDK-ja e VV-ja thirrën seancë për anulimin e shkëmbimit të pronave publike me ato private të ish-klientit të Ramës
Pak orë pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë njoftuar të hënën se kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të enjten, për të anuluar vendimin për këmbim të pronave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nga pozita një tjetër zyrtare të PDK-së.
Rama ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu, me arsyetimin se ka ngecje në fushën e digjitalizimit.
“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, ka shkruar Rama në Facebook.
LDK-ja dhe PDK-ja janë në koalicion në kryeqytet dhe Sahatçiu është zyrtarja e radhës që shkarkohet nga Rama. Ditë më parë u shkarkua edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.
Krisja në koalicion ka dalë në sipërfaqe ditëve të fundit.
PDK-ja i është bashkuar Vetëvendosjes në mbledhjen e nënshkrimeve për anulim të vendimit të këmbimit të pronave publike me ato private.
Në një seri të shkrimeve KOHA ka pasqyruar se si janë ndërruar pronat e ish-klientit të kryetarit Rama në Badoc ku nuk lejohej ndërtimi me ato publike në zonën Prishtina e Re, ku lejohet ndërtimi.
Seanca për anulim të këtij vendimi është thirrur për të enjten në orën 14:00, ndërkohë që një e javës së shkuar dështoi për mungesë kuorumi.
Ndërkohë kryetari i Prishtinës, Rama, ka njoftuar edhe për disa ndryshime në kabinet, duke e quajtur “ristrukturim”.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Planifikimi dhe ajo e Urbanizmit janë shkrirë në një, duke e larguar kështu nga kabineti drejtoreshën e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani.
“Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, z. Arbër Sadiki. Dua të falënderoj drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik znjsh. Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Znjsh. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim”, ka shkruar Rama.
Rama ka njoftuar gjithashtu se ka vendosur që Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku, ndërsa drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku, sipas Ramës, do të emërohet në pozitën e zëdhënësit të kryeqytetit.
E në vend të Ilirik Musliut, drejtorit të Shërbimeve Publike të shkarkuar javën që shkoj, Rama ka emëruar Bekim Brestovcin.
“Pas lirimit nga detyra të drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t'i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, ka shkruar Rama.
Ka njoftuar edhe për formimin e një drejtorie të re.
“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, ky ristrukturim i qeverisjes në kryeqytet shkon në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj.
Rama në statusin e tij në Facebook ka shkruar edhe për problemin me qentë endacakë dhe ka thënë se i ka kërkuar drejtorit për Siguri dhe Emergjenca zgjidhje të problemit deri në fund të këtij viti.
“Një çështje tjetër që po i preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacakë. Andaj sot kam kërkuar nga drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndryshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes”, ka shkruar Rama.