Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka deklaruar se furnizim me ngrohje është duke vijuar normalisht dhe se pas atyre problemeve që u shfaqën ditë më parë, sot procesi është në rregull.
Ajo deklaroi për KTV-në se me të marrë informatën për probleme nga KEK-u, është mbledhur i gjithë stafi me ekspertët për të marrë vendim se çfarë duhet ndërmarrë.
“Kemi pasur edhe vizitën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili na ka ndihmuar të arrijmë në këtë vendim. Kemi vendosur t’i aktivizojmë kaldajat, megjithatë hezitimi i ekspertëve ka qenë se është një ndotje enorme, pasi shtatë vjet s’kanë punuar, dhe fillimi i tyre do të ketë një ndotje enorme të qytetit. Në orët e mbrëmjes i kemi funksionalizuar këto kaldaja, dhe ka nisur furnizimi. Megjithatë, ne edhe para se të fillojë ngrohja me këto kaldaja, se përveç drojës për ndotje të ambientit, droja tjetër ishte se nuk do të arrijmë të furnizojmë mjaftueshëm me ngrohje”, deklaroi Uka-Fejzullahu.
Ajo deklaroi se me t’u sanuar problemi, ka rifilluar furnizimi me avull dhe më pas është ndërprerë ngrohja përmes kaldajave, duke u bërë përsëri me avull.
“Kemi marrë zotime se do të kemi furnizim të mjaftueshëm me avull. Për shkak të ngrohjes cilësore që na është mundësuar, ankesat në viti në vit kanë shkuar duke rënë. Megjithatë për shkak se një pjesë e objekteve janë shumë të vjetra dhe kanë për brenda sistemin e ngrohjes të stërvjetëruar, probleme mund të ketë te këto banesa. Te banesat e reja ka ngrohje shumë të mirë”, shtoi tutje.
Uka-Fejzullahu tha se janë edhe disa ditë nga fillimi i implementimit të projektit të vendosjes së matësve të energjisë termike, apo matësit e mençur, realizim ky në bashkëpunim me korporatën amerikane të mijëvjeçarit.
“Matësit do të vendosen te të gjithë konsumatorët, që do të bëjnë matje më korrekte të shpenzimit të energjisë. Faturimi deri më tani është bërë në bazë të sipërfaqes banesore, ndërsa me matësit do të bëhet përmes shpenzimit të energjisë”, tha ajo.