Shqiptime të dënimeve dhe bllokada të veturave janë rezultate për qytetarët që parkojnë në parkingjet e “Prishtina Parking” e që nuk e bëjnë pagesën për shfrytëzim.
Përveç zonës Qendër, parkimi me pagesë tashmë ka filluar së zgjeruari edhe në “Zonën 2”, ku si lagje e parë është përfshirë “Dardania”, dhe “Rruga B” si parking komercial.
Rreth 80 vetura në ditë po bllokohen çdo ditë, pasi shumë qytetarë nuk kanë ende informacione se vendparkingjet janë bërë me pagesë.
Më së shumti nga kjo po e pësojnë qytetarët, të cilët nuk jetojnë në Prishtinë.
Në “Rrugën B” shumë nga bllokadat janë vendosur në veturat me targa që s’janë të Prishtinës.
Por ka edhe nga qytetarët e Prishtinës të cilët ende nuk e dinë se për të ndaluar në këtë vend duhet të paguajnë 0.50 centë për 1 orë, në të kundërtën pason dënimi prej 20 eurove.
Por këtë e kanë mirëpritur pronarët e bizneseve, si dhe vetë banorët e lagjeve.
Por nga “Prishtina Parking” thonë se kanë bërë njoftimin e duhur, madje ata theksojnë se gjatë gjithë kohës po shpërndajnë njoftime edhe për zonat e reja që po marrin nën menaxhim.
“Nuk ka medium që nuk kam dalë dhe nuk kam njoftuar për aktivitetet e Prishtina Parking. Është keq që një pjesë e qytetarëve që nuk jetojnë në Prishtinë e kanë neglizhuar dhe nuk e kanë marrë seriozisht aktivitetin e Prishtina Parking por ju bëj thirrje të kenë kujdes sepse nëse vijnë në Prishtinë të kenë kujdes se ku parkojnë. Përndryshe se kur të vije te vetura mund të mos e gjejë aty pasi konfiskohet. Tarifat nuk janë të negociuar. Nëse një makinë bllokohet është dënimi 20 euro. Nëse e njëjta makinë vonohet dhe nuk e paguan konfiskohet dhe dënohet me plus 30 euro dhe normal parkingu 5 euro është parkingu i madh ku ne i dërgojmë në parkingjet tona me laura. Numrat janë aktiv për pagesë”, ka deklaruar Liridon Restelica, kryeshef ekzekutiv i “Prishtina Parking”.
Sipas Restelicës, pas “Dardanisë” do të jetë lagjja "Kodra e Diellit”, në të cilën tashmë veçse kanë filluar të vendosen tabela.
“Ajo ka ardhur me vet iniciativë të banorëve. Jemi në konsultime me banorët, ata po insistojnë të ketë laurë dhe ne kemi paraparë që nuk kemi kapacitet për laurë për shkak të pozicionit neve na bije një investim i madh që nuk ia vlen, për këtë arsye ne kemi vendosur tabelën informuese dhe në momentin që do e kryejmë lagjen Dardania do nisemi lartë. Besoj që deri në mesin e vitit të ardhshëm zona 1 dhe 2 do përfundojnë”, ka shtuar ai.
Pas këtij afati pritet të fillojë zgjerimi edhe në “Zonën 3” të Prishtinës.
“Prishtina Parking” u bën thirrje gjithë banorëve rezidentë për t’u regjistruar në mënyrë që t’u bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë për ta.