Arbëri

Ahmeti në ditën e fundit si kryetar: Për 8 vite kemi përmirësuar dukshëm jetën në Prishtinë

E hëna ishte dita e fundit e punës si kryetar i Komunës së Prishtinës për Shpend Ahmetin. Ai, nesër detyrën do t’ia dorëzojë kryetarit të zgjedhur, Përparim Ramës.

Ahmeti qëndroi në krye të Prishtinës për dy mandate. Në të dyjat u zgjodh nën siglën e VV-së, por në tri vitet e fundit u largua nga kjo parti

Dhe, Ahmeti ka bërë një përmbledhje të punës 8-vjeçare si kryetar dhe e përgjithshmja sipas tij është se “është përmirësuar dukshëm jeta në qytet”.

Pasi ka numëruar projektet që janë realizuar në kohën sa ishte kryetar, ka folur pak edhe për problemet.

“A do të thotë se këto mjaftojnë! Natyrisht se jo. Ka problem me ndërtim e planifikim, ka problem me qenë endacake e me trafik. Do të ketë problem në 2025 e 2029 sepse gjithmonë duhet të kërkojmë përmirësimin, edhe pse mundësitë financiare janë të vogla. Por me rëndësi është që sot jetohet një jetë shumë më e mire për shkak të përmirësimeve në tetë vitet e fundit në çdo fushë. Tash duhet të ketë edhe më shumë përmirësime”, ka shkruar ai.

Ai ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët, pastaj partitë nëpër të cilat kalojë.

“Falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje dhe secilin aktivist që ka punuar që unë të zgjidhem kryetar, me theks të veçantë te dy vëllezërit kyç në fitorën tonë, Arbënor e Astrit Dehari”, ka shkruar ai.