Arbëri

Përparim Rama sulmohet me vezë, LDK-ja thotë se sulmuesit brohorisnin “Vetëvendosje”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunën e Prishtinës në zgjedhjet lokale, Përparim Rama, është sulmuar të enjten me vezë gjatë një tubimi në lagjen “Kodra e Trimave”.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë për KOHËN se Rama është sulmuar nga një grup i të rinjve, të cilët brohorisnin "Vetëvendosje".

“Gjatë një takimi me qytetarët e lagjes "Kodra e Trimave" në oborrin e shkollës 'Zenel Hajdini' u sulmuam me vezë nga një grup i të rinjve, të cilët gjithashtu brohorisnin Vetëvendosje. Nuk ka vend për panik, Përparimi po vjen për Prishtinën!”, ka thënë Halimi.

Një reagim për këtë ngjarje në llogarinë e tij në Facebook ka bërë edhe vetë Përparim Rama.

Ai ka thënë se takimet me banorët e Prishtinës, dhe diskutimet e lira dhe të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes.

“Takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e te hapura janë baze e lirisë së shprehjes. Ka shumë të pakënaqur në qytetin tonë. Mirëpo nuk ka vend për panik. Prishtinës do t’i kthehet buzëqeshja e dashnia. #PR4PR”, ka shkruar Rama në Facebook.

Përparim Rama do të garojë nga radhët e LDK-së për të marrë pozitën e të parit të Prishtinës, në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 17 tetor.