1 perditesime
18:37

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” kërkojnë intensifikim të punimeve

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë kanë protestuar për gjendjen e infrastrukturës rrugore, si pasojë e punimeve tash e katër muaj në lagjen e tyre.

Duke bllokuar rrugën kryesore për disa minuta, banorët kërkuan intensifikim të punimeve, në të kundërtën paralajmëruan se protestat do të jenë më madhore dhe para objektit të Komunës së Prishtinës.

Përfaqësuesi i banorëve të kësaj lagje, Dren Shahini tha me këtë rast se ndjehen të neglizhuar nga komuna.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” në Lagjen Mati 1 kanë nisur në fund të muajit prill të këtij viti. Që atëherë, punimet nuk janë ndalur ndërkohë që qarkullimi me vetura i banorëve rreth kësaj rruge është vështirësuar.

09:41

Banorët e “Muharrem Fejzës” protestojnë për gjendjen e rrugëve

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse në Prishtinë do të protestojnë sot për shkak të vonesave të punimeve për gjendjen e rrugëve.

Sipas banorëve, punimet që kanë filluar tash e katër muaj po pengojnë hapësirat për ecjen e këmbësorëve, ndërsa personat me nevoja të veçante kanë mbetur të mbyllur.

“Ne banorët e rrugës ‘Muharrem Fejza’ me rrugët lidhëse, me datë 22/07/2021, ditë e enjte, në ora 18:00, te rrethi që lidhë “Rrugën B” me rrugën ‘Muharrem Fejza’ (te barnatoret), do të protestojmë për gjendjen e rrugës gjegjësisht punimet në rrugë. Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd. Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhesë të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht’’, thuhet në njoftimin e banorëve.

Banorët thonë se kërkesat e tyre i janë adresuar Komunës disa herë, por deri tani ata kanë mbetur pa përgjigje.

‘’Andaj, me datën e lartë cekur protestojmë për: Intensifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtura, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës’’, vijon njoftimi i tyre.