Arbëri

Dyshime se po përgatitet një projekt ndërtimi pranë Liqenit të Badovcit

Aktivistët për mbrojtje të ambientit kanë ngritur dyshime se po përgatitet terreni për një ndërtim pranë Liqenit të Badovcit. Punimet që kanë nisur në një pronë private rreth 300 metra larg ujit të Liqenit, sipas aktivistëve, duhet të monitorohen për të mos lejuar jetësimin e ndonjë lagjeje potenciale banimi. Komuna thotë se ajo pronë është e destinuar për bujqësi dhe se në të nuk do të lejohet kurrfarë ndërtimi

Një ide për ndërtimin e shtëpive luksoze pranë Liqenit të Badovcit është shuar, por një e ngjashme dyshohet se ka nisur të jetësohet. Ka një muaj që në një hapësirë vetëm rreth 300 metra larg ujit të Liqenit në fshatin Mramor të Prishtinës ka nisur të largohet një pjesë e gjelbërimit.

Kjo ka ngritur dyshime te aktivistja e mbrojtjes së ambientit, Valbonë Mehmeti, se po përgatitet terreni për ndërtim.

“Fakti që edhe vetë Komuna është duke e monitoruar për së afërmi me siguri edhe ata dyshojnë që qëllimet janë për me u ndërtu një lagje ose diçka, por pa i parë terrenin, pa i parë lëvizjet e ardhshme të investitorit ne nuk mundemi me konkludu më shumë”, thekson Mehmeti.

Pronari i parcelës akoma nuk është identifikuar, por, sipas Komunës, kjo pronë është private e destinuar për bujqësi.

Drejtori i Inspektoratit në kryeqytet, Adonis Tahiri, thotë se në këtë hapësirë nuk lejohet ndërtimi dhe nuk mund të merret leje për këtë qëllim.

Inspektorët, sipas Tahirit, ka më shumë se një muaj që po përcjellin punimet në këtë hapësirë.

“Në momentin që vërejmë betonim në atë pjesë, çfarëdo lloji, qoftë edhe shtrim rruge, ne do të ndërmarrim masa për shkak se, siç e thashë, parcela është e destinuar si tokë bujqësore, arë e klasës së dytë. Pra, as nuk është mal, mirëpo as nuk është hapësirë brenda së cilës mund të ndërtohet”, thotë Tahiri.

Kurse aktivistja Mustafa vlerëson se dëmi tashmë është bërë me prerjen e druve, derisa të dëmshme ajo e cilëson shfrytëzimin e hapësirës edhe për bujqësi.

“Me zhvillu një aktivitet bujqësor nevojitet edhe uji. Ne duhet me ditë çfarë burime të ujin kanë me u shfrytëzu, çka ka me u shfrytëzu. Do të thotë është e rëndësishme që çfarëdo aktiviteti që ushtrohet në ato zona me qenë i rregulluar me ligj”, shton Mustafa.

Sa i përket dëmtimit të gjelbërimit, Tahiri thotë se në tokë bujqësore, arë private, pronari ka të drejtë të bëjë gjithçka që ndërlidhet me mbjelljen, por s’i lejohet vetëm ndërtimi.

Vitin e kaluar ishte planifikuar ndërtimi i vilave luksoze të banimit rreth Liqenit, por ky projekt ishte anuluar pas presionit të madh publik. Ndërtimi ndalohet brenda zonës së parë, të dytë dhe të tretë të Liqenit, të cilat janë zona të mbrojtura. Së fundmi, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mundësuar që pronat private në zonat një dhe dy të këmbehen me hapësira jashtë zonave të mbrojtura.