Arbëri

Java Olimpike vijon me mbjelljen e drunjve në Prishtinë

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Let's Do It Kosova” dhe Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit po vazhdojnë shënimin e Javës Olimpike me aktivitete të ndryshme.

Dita e dytë filloi me mbjellje të pemëve në zonën e Veternikut në kryeqytet, ku i pranishëm ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Eroll Salihu, dhe po vazhdon me një turne të futbollit, përcjell KosovaPress.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tregoi që gjatë 10 vjetëve të ardhshme në Kosovë do të mbillen 1,800,000 drunjë, me qëllimin për të gjelbëruar vendin sa më shumë për sportistët dhe popullin.

"Sot po shënojmë edhe një rast shumë të veçantë, mbjelljen e drunjëve, gjelbërimin. Është një pjesë e vazhdimit të procesit të mbjellim 1,800,000 drunjë në të gjithë Kosovën për 10 vitet e ardhshme. Kështu që, besoj që ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm sepse gjelbërimi ndikon edhe në vet ambientin dhe ajrin për sportistët, por edhe për qytetarët e gjithë Kosovës", tha Krasniqi.

Kryetari i organizatës “Let's Do It Kosova”, Luan Hasanaj u bëri thirrje të gjithëve që mbjellja e pemëve dhe gjelbërimi i vendit të mos ndalet.

“Përmes këtij angazhimi duam t’ju bëjmë thirrje të gjithëve që të vazhdojmë të mbjellim drunjë gjithandej vendit çdo ditë, jo vetëm në ditë të shënuara, por çdo ditë, sepse kemi shumë hapësira në të cilat mund të mbjellim drunjë, dhe aty ku mbillen drunjë mbillet jetë”, tha Hasanaj.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Eroll Salihu, i cili gjelbërimin e vendit e cilësoi si simbol të rinisë dhe të zhvillimit.

“Falënderoj presidentin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që në këto ditë të rëndësishme për Lëvizjen Olimpike kanë ndërmarrë kësi aktivitete sociale, të cilat për fat të keq në vendin tonë nuk çmohen shumë. Vullnetarizmi, ruajtja e ambientit e të tjera, duhet të futen në kokën e rinisë sonë, vet-gjelbërimi i hapësirave që janë boshe është simbol i rinisë, simbol i zhvillimit, kështu që është një hap i qëlluar, shpresojmë që me aktivitete të tjera të plotësohen edhe sfera të tjera jetësore", tha Salihu.

Për fund, disa fjalë i tha edhe zyrtari nga Departamenti i Sportit në MKRS, Fitim Arifi, i cili tregoi që këto lloj aktivitetesh do të kenë gjithmonë përkrahjen e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

"Departamenti i Sportit, përkatësisht Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport është përkrah çdo herë aktiviteteve te organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe i urojmë dhe i përgëzojmë për të gjitha këto aktivitete, sepse vërtetë kontribuojnë për Lëvizjen Olimpike dhe Komitetin Olimpik", tha Arifi.

Ky nuk do të jetë aktiviteti i vetëm i ditës së sotme, ku përveç mbjelljes së pemëve, po ashtu po zhvillohet edhe një turne i futbollit në stadiumin “Ramiz Sadiku”, me ekipet: KOK, MKRS, Veteranët e futbollit, Gazetarët sportivë dhe Estrada./KSP