Rrënjët i ka lëshuar në çdo cep të kryeqytetit, pavarësisht që Arra e Hindit siç njihet si lloji drunor invaziv po shkakton dëme në ngufatjen dhe tharjen e llojeve autoktone të drurëve, dëmtimin e shtëpive dhe objekteve të vjetra, asfaltit, por edhe në shëndetin e njeriut për shkak të lirimit të materieve toksike dhe ndikimit alelopatik.
Sipas eksperteve të mjedisit, ky lloj i drurit me origjinë nga Kina, që ka ardhur gabimisht në Evropë në shekullin XVIII, rritet në mjedise të ekspozuara të diellit, u reziston ndryshimeve klimatike dhe është i qëndrueshëm në toka të varfra dhe ajër të ndotur.
Bima në fjalë është e ndjeshme ndaj sasive të mëdha të ozonit. Gjethet e saj thithin dyoksidin e sulfurit (SO2) dhe është e qëndrueshme ndaj aciditetit të ulët, vlerës pH. Sipas shpjegimit shkencor, kemi të bëjmë me një prej llojeve me të dëmshme në botë për shkak të ndikimit në mjedis, në llojet tjera drunore autoktone dhe pamundësisë së kontrollit, ka shpjeguar Qazim Kukalaj, njohës i agrikulturës.
Kukalaj ka thënë se kontakti me lëngun bimor të këtij druri, ndikon në shfaqjen e dermatitit, në dobësim të organizmit e deri në shkaktimin e paralizës. Sipas tij, individët të cilët kanë pasur kontakt të gjatë me këtë dru, mund të pësojnë miokardi.
“Shkatërrimi i monumenteve të vjetra, monumenteve arkeologjike, lirimin e materies alliant, e cila ndikon deri tek miokardi, ndikon deri te dermatitis apo dermatitin do të thotë problemet me lëkurën, ka edhe efekte të tjera të dëmshme e sipas të dhënave shkencore ky lloj mund të shkaktojë alivanosjen te njerëzit nëse qëndrojnë shumë gjatë ose nëse merren me përpunimin e këtij lloji”, ka thënë ai.
Sipas Kukalajt, vendi duhet të pastrohet nga kjo bimë dhe mënyra e vetme për asgjësimin e këtij lloji të drurit është kombinimi i metodës mekanike me atë biologjike, pra përdorimi i herbicideve dhe kërpudhave patogjene.
“Sa më parë të fillohet që këta drunj dalëngadalë të largohen nga territori dhe po ashtu të promovohet ashtu siç po promovohet sot. Të promovohet edhe te familjarët edhe te popullata. Kam pasur rast të shoh se disa kanë filluar që edhe nëpër oborre ta mbjellin dhe promovimi i pasojave të këtij lloji është shumë me rëndësi edhe nga mediat, profesionistët edhe nga të tjerët. Shumë më mirë të mbillnim më pak, por të mbillnim si duhet ku duhet dhe t’i zgjedhim ato lloje përkatëse që vërtet t’i japin bukurinë, kuptimin arkitektonik edhe kuptimin peizazhor”, ka deklaruar Kukalaj.
Ai, gjithashtu, rekomandon se këto bimë mund të mbillen në vendet e ndotura, por jo në kryeqytet në afërsi të njerëzve dhe bimëve të tjera shëruese.
Edhe drejtoresha e Parqeve nga Komuna e Prishtinës, Fatime Hajdari nuk e përjashton faktin se kryeqyteti po rrezikohet nga bimët jo të shëndetshme, sipas saj, intervenimi për asgjësimin e këtyre drunjve është i pamundur.
“Nuk është evidentuar asnjë rast për shkak se Drejtoria e Parqeve, drunjtë të cilët i blen, sidomos këto vitet e fundit që është krijuar si dikaster kur krijohen përmasat kur përgatiten prej zyrtarëve, kërkohet që ata drurë me qenë të shëndetshëm edhe me qenë edhe drurë që nuk kanë ndonjë impakt negativ për ambientin, e aq më pak për frekuentuesit e hapësirave publike. Ndoshta ndonjë bimë më pak e rrezikshme mund të ekzistojë, sidomos në Parkun e Gërmisë për arsye se aty habidati është i larmishëm dhe më natyral, por në raste të tilla ne nuk guxojmë të intervenojmë për arsye se ato janë vetëm në habidatin e vet”, ka thënë ajo.
Fatbardha Mehmetukaj-Berisha, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës ka thënë se angazhimi i mbjelljes dhe mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra në kryeqytet, e ka penguar Komunën që të ketë si prioritet edhe asgjësimin e drurit Arra e Hindit.
“Ailanthus altissima - gjendet në kryeqytet jo në numër shumë të lartë mirëpo ka vende ku është më tepër prezente. Për shkak të fokusit të madh të mbjelljeve dhe mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra në Prishtinë, për eliminimin e tërësishëm të llojit në fjalë nuk kemi pasur mundësi mirëpo aty ku janë vendosur trupa drunorë të rinj janë zhvendosur këto lloje të egra. Vlen të ceket hapësira afër Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, ku ka qenë e populluar më së shumti me këtë lloj dhe pas trajtimit të kësaj hapësire janë larguar pjesa dërrmuese e tyre, të cilët kanë qenë në gjendje jo të mirë. Deri më tani nuk është konstatuar ndonjë rrezikshmëri prej tyre, mirëpo prapë se prapë në të ardhmen jo të largët do te largohen dhe do të bëhet zëvendësimi me lloje të tjera drunore, të cilat janë të përshtatshme për kushtet klimatike të vendit tonë”, është shprehur Mehmetukaj-Berisha.
Ekspertët bëjnë thirrje që Arra e Hindit, e njohur si bima që po përçon rrezikshmëri te bimët e tjera dhe njerëzit, të asgjësohet tërësisht nga kryeqyteti, teksa edhe institucionet relevante e premtuan një gjë të tillë, por nuk treguan për ndonjë datë se kur mund të ndodhë.