Arbëri

Asamblisti i LVV-së: Është moment i mirë që Arben Vitia të jetë kandidat për Prishtinën

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, vlerëson se është koha që VV-ja ta kthejë pushtetin në Prishtinë.

Ai thotë se është momenti më i mirë, që një nga ministrat më të mirë të Qeverisë Kurti, Arben Vitia, të jetë kandidat për Komunën e Prishtinës. Ai thotë se është kërkesë e qytetarëve që Vitia të kandidojë. Azemi ka shtuar se ende nuk është vendosur se cili do të jetë kandidat nga radhët e VV-së për kryetar të Prishtinës.

“Besoj se Prishtina definitivisht është një komunë e madhe nëse e krahason me komunat tjera. Përveç kësaj është edhe ligji për kryeqytet, që i mundëson kompetenca shtesë Komunës së Prishtinës. Gjendja me pandeminë fatmirësisht është në nivele jo të larta siç ka qenë para pak kohe. Ministri Vitia ka bërë punë të jashtëzakonshme edhe për sigurimin e vaksinave. Nuk konsideroj se rreziku gjatë pandemisë është i njëjti si para 6 muajve. Besoj se është moment i mirë që një nga ministrat më të mirë të Qeverisë Kurti të jetë kandidat për Komunën e Prishtinës”, ka thënë Azemi në emisionin “Sot” të KTV-së.

Azemi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që është përgatitur mirë për garën në Prishtinë. Është në përfundim të pikave programore, dhe se për të ka qenë me rëndësi programi me të cilin do t’i qaset Prishtinës.

“Gjithashtu Lëvizja me komitetet e saj, me strukturat e saj, është duke punuar çdo ditë në terren për të identifikuar problematikat e secilës lagje. Janë më të rëndësishme këto sesa emërimet e fushatat mediale katër muaj para zgjedhjeve”, ka shtuar Azemi.

Azemi vet ka thënë se nuk e di nëse do të jetë pjesë e listës për garën për Kuvend Komunal të Prishtinës.

“E pamë herën e kaluar ndaj Albinit, Albulenës e dy kandidatëve tjerë të Lëvizjes, që iu ndalua të kandidonin për shkak të veprave penale të protestës. Nëse vlen prapë mund të pezullohem edhe unë nga kjo, pasi kam qenë disa herë i arrestuar gjatë aktiviteteve të Lëvizjes. Por, unë do të punoj në fushatë që Prishtina t’i kthehet qeverisjes së VV-së e të marrë fund gjendja kaotike që po ndodh në kryeqytet”, ka thënë Azemi.

Azemi ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se që nga ndarja nga Lëvizja ka lejuar ndërtime pa kriter.

“Prishtina definitivisht ka nevoja të mëdha. Ka buxhet të mjaftueshëm, por nuk shfrytëzohet. Teprojnë 40 milionë euro në vit nga buxheti, thuajse në Prishtinë nuk ke ku të investosh. Kultura thuajse ka vdekur fatkeqësisht në Komunën e Prishtinës dhe fokusi i Lëvizjes do të jetë këtu. Rregulli urban po ashtu. Prishtina është katandis si para vitit 2013, ku bëhen ndërtime pa kritere. Nuk kemi menduar se Shpendi do të lejonte diçka të tillë pas daljes nga Lëvizja, por fatkeqësisht ndodhi. Por, pa një organizatë të fortë siç është Lëvizja është e pamundur mbase të shtyhesh me mafinë e ndërtimit, që është shumë e interesuar të ndërtojë në Prishtinë, por nuk respekton kritere. Por me LVV-në do të rikthehen kriteret, do të ketë ndërtime, por duke u respektuar kriteret”, ka thënë Azemi.