Pothuajse në secilën hyrje të objekteve banesore të Komunës së Prishtinës, në dyer gjenden reklama të kompanive për dezinsektim.
Kjo pasi në këto ndërtesa, banorët tash e një kohë, kanë probleme të shumta me insektet.
Ata po ankohen se shërbimet e dezinsektimit po detyrohen t’i kryejnë privatisht, pasi që Komuna nuk po shpreh interesim për shfarosjen e insekteve.
“Me buba kemi probleme prej pasluftës, po i blejmë do (ilaçe) kundër bubave, por po ka bukur shumë probleme. Çka është më problemi nuk e dimë as nga po vijnë. Zakonisht prej banjës dalin. Kah dalin as vetë s’e di”, thotë qytetari Rrustem Gjelaj.
Qytetarët kanë theksuar se telashe kanë kryesisht me brumbullin gjerman.
Biologu Halil Ibrahimi, ka thënë se ky lloj insekti vjen kryesisht prej lagështisë dhe prania e tij nëpër vendet ku banojnë njerëzit, është e rrezikshme, për shkak të përhapjes së sëmundjeve.
“Për faktin se njihen si bartës të disa sëmundjeve, ndoshta jo ashtu sëmundje drastike, por sëmundje që përcillen me diarre, të vjella etj. Për ta shmangur një problem të tillë, është mirë që të aplikohen metoda prej institucioneve përgjegjëse për largimin e suksesshëm të tyre”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se dezinsektimi nuk ka sukses nëse nuk bëhet në të gjithë objektin e ndërtesës.
“Dezinsektimi privat në ndërtesat e banimit kolektiv, definitivisht është i pasuksesshëm, për faktin se i largon nga një banesë, por ato janë në kojshi dhe munden me gjetë mundësinë e ardhshme për me u vendosë brenda disa individë dhe pastaj ato shumohen”, tha Ibrahimi.
Banorët kërkojnë ndihmë të menjëhershme nga ana e Komunës së Prishtinës.