Arbëri

Mungesa e ndriçimit, banorët e “Dardanisë” qe 8 muaj në terr

Jetojnë në njërën nga lagjet më të vjetra të Prishtinës, mirëpo jetesa për ta është vështirësuar në mungesë të ndriçimit publik.

Shtyllat në “Dardani” kanë mbetur të pandriçuara tash e disa muaj.

Edhe pse në qendër të kryeqytetit, banorët po hasin në vështirësi gjatë kalimit të rrugëve, apo edhe për të hyrë në ndërtesat e tyre.

Shpeshherë ata po rrezikohen edhe nga qentë endacakë, të cilët nuk mund t’i shohin në errësirë.

“Problem kemi mjaft të madh se po kemi lëvizje të njerëzve të llojllojshëm, rreziku për fëmijë, qentë endacak. Është që pesë gjashtë muaj dhe askush nuk interesohet nga organet përgjegjëse. Dalim me frikë, zonjat po kanë më shumë problem. Ne meshkujt po është lëvizje e parrezikshme”, ka thënë Ferat Dervisholli, banor i lagjes “Dardania”.

Ndërsa Salih Statovci, po ashtu banor i kësaj lagje ka thënë se problemin e kanë paraqitur edhe në Komunë, mirëpo deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

“I kemi lajmëruar komunën e thoshin thirrni kompaninë përgjegjëse, ndërsa kompania thoshte thirrni komunën se ende nuk është vendos për tender, nuk na ka jep. Tash kur filloj tenderi dy copa i kanë rregulluar, ndërsa tjera nuk bëjnë. Po qëndrojmë në terr; fëmija e vogël, pleqtë, ne në terr këtu. Parkohen njerëz të panjohur e po frikohemi të dalim edhe jashtë. Tenderët na shkatërruan”, është shprehur Statovci.

Komuna arsyetohet se mungesa e ndriçimit në këtë pjesë dhe shumë lagje të tjera po ndodh për shkak të punimeve nga operatorë të ndryshëm ekonomikë.

“Para 3 muajsh ka nënshkruar një kontratë me 5 lloto, ku fatkeqësisht rruga Dardania, deri tek amortizatorët nga Kalabria kanë mbetur pa ndriçim. Fatmirësisht para 4 ditë është nënshkruar kontrata dhe para dy dite kanë filluar punimet dhe në zonën që ju e cekët. Në këtë lagje janë zhvilluar disa punime nga termokosi, KEDS, ujësjellësi dhe është bërë edhe lidhja e rrugës Ilaz Kodra dhe për këtë arsye është një shkëputje e cila e shoqëron këtë pjesë pa ndriçim”, ka thënë Xhemshit Gashi, menaxher i kontratës për mirëmbajtjen e ndriçimit.

Me kontratën në vlerë prej 25 mijë eurosh, Xhmeshit Gashi ka premtuar se brenda një jave do të rregullohet ndriçimi në këtë pjesë.

“Pritet që edhe kjo pjesë brenda javës të rregullohet.25 mijë euro është vlera e kësaj lloto, është një kontratë 1 vjeçare. Prishjet i kemi më të mëdha dhe nevojitet një dinamikë më e shpejtuar e punëve sepse është imponuar nga operatorët ekonomik”, ka thënë ai.

Pavarësisht mungesës së ndriçimit në shumë rrugë të Prishtinës, Gashi ka deklaruar se ndriçimi është funksional si në zonat rurale po ashtu në ato urbane.