Arbëri

Komuna e Prishtinës me plan për vaksinim në qendrat e Mjekësisë Familjare

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës ka nisur përgatitjet për vaksinim eventual masiv të popullatës, ka konfirmuar nënkryetari Muhedin Nushi. Madje, ai tha se numri i të infektuarve është në rënie, dhe sipas tij, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që vaksina është zgjidhja e vetme në këto raste.

“Ne veç kemi filluar parapërgatitjet tona në kuadër të komunës dhe të ekipit menaxhues ose shtabit operacional në kuadër të komunës për ndonjë vaksinim eventual masiv i cili mund të ndodhë në Kosovë. Kjo mund të ndodh në rast se furnizohemi me vaksinat mjaftueshëm në mënyrë që të vaksinohet tërë popullata. Numri i infektimeve është në rënie”, ka thënë Nushi.

Nënkryetari ka përmendur numrin e madh të rasteve si çështje brengosëse.

“Edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që vaksina është zgjidhja e vetme në këto raste kur kemi pandemi globale çfarë është kjo që na kapluar nga viti i kaluar”, shtoi Nushi për EO.

Nënkryetari theksoi se janë duke përpiluar planin nëse kërkohet nga Qeveria për shpërndarjen e vaksinave në Qendra të Mjekësisë Familjare.

“Jemi duke përpiluar planin në rast se kërkohet nga Qeveria dhe nuk do të ketë vaksinim vetëm në Qendrën e Sallës Sportive ku aktualisht po kryhet vaksinimi edhe ku është pjesa e stafit të Qendrës së Mjekësisë Familjare të Komunës së Prishtinës”.

Ai ka shtuar se me ekipin emergjent janë në përpilim e sipër të planit që në rast se kërkohet nga Qeveria për shpërndarje të vaksinës edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në hapësirat për vaksinim masiv për qytetarët e Prishtinës.

“Prandaj çdo herë tentojmë si komunë që të bëjmë decentralizim të ofrimit të shërbimeve që të mos jetë vetëm një pikë ku do të shkojnë qytetarët sepse do të ketë mundësi të infektimit nëse tubohen shumë veta. Secili do të tentojmë që të vaksinohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt të banimit të tyre”, ka shtuar ai.