Arbëri

Qytetarët në rrezik nga fasadat që po bien në sheshe

Fasadat e tyre ishin rregulluar më shumë se një dekadë më parë kur Prishtina udhëhiqej nga Ismet Beqiri.

10 vjetët e fundit pak intervenime janë bërë në dukjen e objekteve në sheshet e qytetit.

Nga vjetërsia fasadat tashmë janë shndërruar në rrezik për banorët e kalimtarët e shumtë që ka qendra.

Disa qytetarë janë edhe dëshmitarë kur një pjesë e fasadës ra ditë më parë në një objekt në sheshin “Zahir Pajaziti”. Qytetarët ndihen të rrezikuar .

“Shumë po rrezikohen qytetarët”, ka thënë një prej tyre, teksa një tjetër qytetar tha se “ndërtesat e vjetra duhet të rinovohen dhe të ruhen”.

Disa të tjerë mendojnë se ndryshimet duhet bërë si në çdo qytet tjetër, në mënyrë që Prishtina të ketë një pamje më të re.

Një banor tha se kur po u bie fasada, ndërtesat po “duken të shëmtuara”.

Ligji për ndërtesat në bashkëpronësi fasadat i sheh si pronë të përbashkët të banorëve. Për këtë drejtoresha për Shërbime Publike, Medina Braha, ka thënë se edhe zgjidhja me ligj u takon banorëve. Ajo ka thënë se duhet diskutuar nëse Komuna mund të bëjë zgjidhje ashtu siç po ndodh tani me soliterat në Ulpianë.