Janë bërë pothuajse tre vjet nga miratimi i Ligjit për Prishtinën, dhe ende nuk është formuar Policia Komunale e paraparë me të.
Sipas Komunës së Prishtinës, çdo gjë ka ngecur në mungesë të një udhëzimi administrativ që duhet të bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Që nga ajo kohë disa herë janë ndërruar ministrat e brendshëm dhe asnjëri nuk ka pasur gatishmërinë të përfundojë këtë punë. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shpreson që ministri i ri, Xhelal Sveçla, do të realizojë obligimin ligjor.
“Ne po i përcjellim disa ministra dhe shpresoj që me qeverinë e re, pra shpresoj që kjo ministri të gjejë kohën e duhur për këtë. I kemi angazhuar disa të diplomuar me magjistratura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hartuar falas disa të dhëna që duhet të jenë në atë udhëzim administrativ, ajo punë është bërë dhe është kryer dhe po presim nga niveli qendror për këtë udhëzim. As pare nuk po kërkojmë dhe asgjë tjetër vetëm të bëjnë atë udhëzim administrativ”, ka thënë Ahmeti.
Ky udhëzim administrativ pritet të rregullojë edhe çështjen mbi të cilat do funksionojë kjo polici.
Në mungesë të saj, Ahmeti tregon se po humbasin kohë në disa procese, madje edhe mjete financiare pasi që policët angazhimin në Komunë e kanë punë sekondare, për të cilën paguhen shtesë.
“Nëse duam të rrënojmë një ndërtim pa leje neve na duhet 72 orë për të lajmëruar policinë dhe për këtë kohë ndërtohen një kat sepse këto janë rregullat që duet të ndiqen. Nëse ne na duhen policë për siguri, ne duhet të paguajmë policë me punë sekondare, dikush që e përfundon orarin e punës në polici vjen këtu për të siguruar edhe 150-200 euro. Shumë shpesh na ndodh të kemi problem në komunikacion , policia e qytetit është një model që është në të gjitha shtetet fqinje. Nuk dihet se a do të kenë revole”, shtoi Ahmeti.
Qytetarët thonë se me krijimin e policisë komunale do të kishte më shumë rend dhe ligj në kryeqytet.
“Çdo polic po ta kryente punën sipas detyrave të veta do të kishte ndryshime. Tani për tani shumë dukuri negative kemi në Prishtinë. Të gjitha qytetet kanë bërë policinë e vet, madje edhe policinë civile, kur i sheh dukurit negative i fotografon dhe në atë mënyrë edhe i dënojnë qytetarët që shkelin rregullat”, tha një qytetar.
Pavarësisht tentimit qe disa ditë për të pasur një përgjigje, MPB nuk është deklaruar se pse ky udhëzim administrativ ende nuk ka përfunduar.
Sa i përket Policisë komunale, Prishtina ka buxhet të posaçëm për të. Megjithëse do të jenë pjesë e integruar e Policisë së Kosovës, këta policë do të shërbejnë vetëm për Komunën e Prishtinës dhe në çështje në të cilat nuk interferojnë në çështje që i takojnë policisë qendrore.