Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Daut Haradinajt për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet e ardhshme komunale.
Këtë e ka bërë të ditur lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj përmes një statusi në Facebook, ku ka shtuar se pas konsultimeve të vazhdueshme, Aleanca ka vendosur për kandidaturën për kryeqytetin.
“Për kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish-shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion”, ka njoftuar Haradinaj.