Arbëri

Pallati i Rinisë do të kthehet në qendër trajtimi për COVID-19, nëse eskalon situata

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se kjo komunë është e gatshme që Pallatin e Rinisë ta kthejë në qendër për trajtim të pacientëve me koronavirus, nëse eskalon situata.

Sipas tij, në këtë pallat mund të bëhet trajtimi me afro 400 shtretër. Ai ka shtuar se janë edhe 13 shtëpiza në parkun e Gërmisë që i janë ofruar në shërbim Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ai ka thënë se pret që në dy javët e ardhshme të ketë rritje të rasteve me koronavirus në vend.

“Numri i cili po rritet dita-ditës dhe kjo si arsye e fushatës elektorale të cilën e kemi pasur por edhe si arsyetim tjetër është mosrespektimi i masave nga ana e IKSHPK-së, mos respektimi i masave nga ana e qytetarëve kjo për arsye se nuk po bahen maskat nuk po respektohet distanca sociale dhe po besojmë që në dy javët në vazhdim do të jenë me rritje të vazhdueshme të numrave”, ka deklaruar ai. “Kjo do të shkaktojë telashe dhe probleme në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi për arsye të pamundësisë së menaxhimit. Komuna e Prishtinës është e përgatitur edhe për eskalim të situatës në kuptimin që i kemi 13 shtëpiza në parkun e Gërmisë dhe të cilat i kemi ofruar në shërbim të ministrisë së Shëndetësisë, por e kemi të përgatitur edhe Pallatin e Kulturës “Adem Jashari”, e cila mund të rregullohet brenda kohës shumë të shkurtër për afër 400 shtretër”.

Nushi ka thënë po ashtu se në rast të eskalimit duhet të merret parasysh mundësia e shndërrimit të hoteleve në qendra karantinimi.

Aktualisht në Kosovë janë afro 10 mijë raste aktive me COVID-19, ndërsa përditë po regjistrohen nga më shumë se 500 raste të reja.