Që 21 vjet, banorët e disa fshatrave të Gollakut kanë mungesë të transportit publik. Për këtë shkak, shumë nxënës nuk e kanë vazhduar shkollimin, disa janë detyruar ta lënë edhe punën, e shumica janë shpërngulur drejt zonave urbane.
Autobusi i linjës 15 nga Prishtina shkon vetëm deri në Keqekollë, ndërsa banorët e fshatrave Hajkobillë, Gllogovicë, Dabishec, Prapashticë dhe Marec pjesën tjetër të rrugës e vazhdojnë në këmbë.
Nxënësit që vijojnë shkollën e mesme, po përballen me vështirësi për të arritur me kohë në shkollë.
“Prej Marecit vij në shkollë në Prishtinë. Është vështirë se na bie (të udhëtojmë) edhe natën, është 12 kilometra. Shpesh ndodh që vonohemi. Herë na merr ndonjë veturë, herë në këmbë.”
Ndërsa, Faik Ferizi, një i moshuar nga fshati Prapashticë, detyrohet ta frekuentojë në këmbë rrugën e gjatë edhe për të shkuar të mjeku.
“E kemi mjekun e përhershëm në Keqekollë, duhet të marrim një udhëzim në Keqekollë pastaj të shkojmë në Prishtinë, e shpeshherë nuk mund të arrijmë atë ditë të shkojmë në Prishtinë, duhet t’i humbim dy ditë për të marrë udhëzimin, pastaj të nesërmen prapë të shkojmë në Keqekollë. Është keq për institucionet tona, duhet të bëjnë diçka edhe për atë vend.”
Edhe pse nga fshati Keqekollë, Enver Avdullahu thotë se pjesa tjetër e Gollakut po diskriminohet.
“Në 4 të mëngjesit zgjohen nxënësit për të ardhur në Keqekollë për autobus. Disa i bien me vetura, disa në këmbë. Vetë i kam parë duke ardhur në këmbë, në të ftohtë, për të shkuar në shkollë që të marrin pak mësim. Kanë mbetur si me qenë në zonë me Serbinë, askush nuk del t’i shikojë, kjo është përgjegjësi e Komunës, edhe këta janë banorë të Prishtinës.”
E shoferi Shemsi Shala, thotë se po të kishte urdhrin nga Kuvendi Komunal, me dëshirë do të vazhdonte edhe më tutje.
“Ne, me dëshirë shkojmë edhe 7-8 kilometra, nëse ka nevojë edhe më tutje mund të shkojmë. Por, kjo varet nga Kuvendi Komunal”.
Pas ndaljes së autobusit në stacionin e fundit, udhëtarët nga Prapashtica e vazhduan rrugën e tyre në këmbë.
“Deri te shtëpia ime në Prapashticë janë 8 kilometra. Tash duhet më këmbë, kështu. Nuk është hera e parë, po u bëjmë ngarkesë edhe udhëtarëve se i kemi disa tradita ne këtu. Unë shumë shpesh i kam bartur nxënësit, nuk ka pasur rrugë. Sot po duhet kështu topall, invalid, po duhet të vij te mjeku.”
Në mungesë të transportit, ndonjëherë Ferizi bën zgjidhje me anë të “autostopit”.
Valdrini rrugës për në shtëpi, tregon se tani ai është dashur të jetë student i vitit të parë.
“E kam kryer shkollën e mesme, tash fakultetin e kam lënë, nuk ka udhëtim nuk ka asgjë. Ka qenë e vështirë, sepse merrnim shumë mungesa, profesorët nuk na linin të hyjmë në mësim. U dashtë ta lë krejt. Shkonim nëpër halla, teze po monotoni të shkosh çdo herë. 12 kilometra kam për të ecur deri në shtëpi”.
Pas 4 kilometrave rrugë, Enes Ibrahimi thotë se kjo është rruga që ai e përshkon pothuajse çdo ditë. E nëse nuk zgjidhet problemi me autobusë, ai thotë se i duhet t’i ndërpresë edhe studimet.
“I kemi kaluar përafërsisht 4 kilometra, i kemi edhe 4 kilometra të tjera për në Prapashticë. Sot kam qenë në Prishtinë për ligjërata. Më bie çdo ditë të shkoj në ligjërata dhe e frekuentojë çdo ditë këtë rrugë. Çdo herë shkoj në këmbë, por ka raste kur bashkëfshatarët na marrin nuk na lënë në rrugë, iu vjen keq, sepse edhe ata kanë fëmijët e tyre që udhëtojnë si ne… Në orën 8 të mbrëmjes zbresim në Keqekollë, deri në orën 9 ecim për në Prapashticë. Nuk kemi as ndriçim. Ka pasur raste kur janë paraqitur edhe kafshë të egra”.
Pavarësisht premtimeve të shumta, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një zgjidhje konkrete.
Asamblistja e pavarur e Kuvendit Komunal në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta, ka propozuar një ide me anë të së cilës ajo synonte zgjidhjen e problemit, por që nuk ka kaluar tutje në legjislativin komunal.
Të martën banorët e këtyre fshatrave kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.
“35 kilometra nga këtu, barnatore nuk kemi, shitore nuk kemi, nxënësit i kemi jashtë shkollës, e kanë mbaruar klasën e nëntë dhe po mbesin në shtëpi. Kemi punëtorë që po duhet ta lëshojnë vendin e punës se nuk kanë mundësi të mbërrijnë, jemi në kushte të vështira dhe për këtë qëllim jemi këtu”.
Pas takimit me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, banorët morën premtim për zgjidhje të përkohshme.
Nga 10 marsi linja pritet të lëshohet deri në Prapashticë, ndërsa gjatë vitit iu është dhënë fjala se do të bëhet zgjidhje edhe për fshatrat tjera.