Arbëri

Në mungesë të rrjetit të kanalizimit, banorët e Siqevës detyrohen t’i derdhin ujërat e zeza në lumë

Descriptive Text

Dikur uji i këtij lumi përdorej për pije nga banorët e fshatit Siqevë. E tani, atë e shfrytëzojnë për të derdhur ujërat e zezat në të.

Banorët e këtij fshati të Prishtinës, në mungesë të rrjetit të kanalizimit, po detyrohen të shfrytëzojnë lumin Siqeva për këtë gjë.

Problem të madh po paraqet që këtë ujë nuk mund ta përdorin më për pije, e madje era e rëndë, sidomos gjatë verës, po ua vështirëson edhe qëndrimin në shtëpi.

“Krejt fshati e kanë kanalizimin në këtë rekë. Prapë dimrit ka ma shumë ujë e kalon, e verës ka më pak ujë e dëgjohet më shumë”, ka thënë banori Fazli Berisha.

Ndërsa gypat, që deri tek lumi i kanë vendosur me vetiniciativë, tashmë kanë filluar të bllokohen.

Naser Berisha, tjetër banor i këtij fshati tha se po u pengon kjo, pasi i gjithë uji nga kanalizimet po kalon aty.

“Janë disa gypa që kanë nisë mu mbyllë e të bllokohen. Verës po na pengon se këtu afër jetojmë. Gjaja pinë ujë të kanalizimit, kjo është shumë keq... po unë kam pi vet ujë në rekë se ka qenë ujë i pastër, tash i kanë qitë krejt kanalizimet aty, pas luftës. Po pengon se ka qenë ujë i pastër, kemi mund të mbjellim bahçe dhe të ujitim me të, tash nuk mundemi se krejt uji i kanalizimit aty derdhet.”

Pasi nuk furnizohen me ujë nga ujësjellësi, ata detyrohen të bartin ujë nga larg në pamundësi të përdorin lumin.

Berisha tha se thotë se ujin duhet ta marrin prej tjetër ku dhe se kanë krijuar puse për të pasur ujë më afër dhe cilësi më të mirë.

“Nuk ka ujë të sigurt boll. Duhet me bajtë me diçka. Cilësia nuk është e mirë, por nuk ka mjaft. Kur është sezona që është thatësi e madhe më shumë bajmë ujë, dimrit ka ama verës jo. Kemi qelë do bunare. Ujësjellësi deri në Bërnicë është ardhur, deri këtu nuk ka ardhur nuk e di çka është problemi”.

Përveç kësaj, banorët po përballen edhe me mungesë të transportit publik. Një furgon që i bart udhëtarët nuk po i plotëson kushtet sa duhet, pasi ai kalon vetëm 4 herë në ditë.

Daut Berisha i këtij fshati kërkon që transporti të sigurohet për nevojat që kanë banorët për të lëvizur.

“Tash ne po na kushton për çfarëdo rasti t’i përdorim automjetet për të shkuar në Prishtinë apo çfarëdo pune tjetër. Kisha apelua që mundësisht transporti të na sigurohet. Është një kombi që udhëton 3-4 herë në ditë, por nuk i plotëson nevojat tona. Atëherë kur ne kemi nevojë atë nuk e gjejmë”, tha ai.

Për të shfrytëzuar transportin publik, ata shpeshherë detyrohen të ecin deri në katër kilometra në këmbë.

Naser Berisha shton se çështja e transportit është problem i madh e që po shkakton vështirësi për jetën e tyre.

“Me rrugë e transport jemi katastrofë, e kemi një kombi i cili kur do vije kur do jo. Dikush shkon deri në në Llukar ose Bërnicë në këmbë, deri në bardhosh është 5 kilometra, deri në Llukar është katër”.

Banori Imer Berisha sqaron se si udhëtojnë në këtë fshat për të përmbushur nevojat që kanë.

“Është një kombi që i bartë disa udhëtarë, autobus nuk kemi, nxënësit me atë herë shkojnë në shkollë herë jo se rregullisht nuk vije. Herë vonohen e tani po i qesin telashe në shkollë”.

Por, për mungesë të transportit, njëherë nuk pritet të ketë ndonjë zgjidhje.

Komuna e Prishtinës ka deklaruar se është në fazën e konsultimeve me BERZH-in, për të bërë riorganizimin e tërësishëm të linjave të transportit.

Përveç këtyre, banorët e këtij fshati kanë edhe halle të tjera, si mungesa e ndriçimit në gjysmën e fshatit e po ashtu edhe disa rrugë të pashtruara, e që sipas tyre, gjatë reshjeve të shiut bëhen të pakalueshme.