Arbëri

Nushi: Ata që u testuan në klinikat private nuk do të rimbursohen

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka folur për pakon e ndihmës për personat e prekur me COVID-19 në Prishtinës.

Ai ka thënë se që kur është aktivizuar platforma, qytetarët kanë filluar të aplikojnë. Sipas tij që në minutën e parë kanë qenë 150 aplikime, kurse deri tash janë 4954 aplikime.

“15.000 qytetarë janë deklaruar që dy javë se janë të prekur me COVID-19 porse shifrat shtohen çdo ditë. Secili qytetarë që është i infektuar dhe do të infektohet do të subvencionohet nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë ai.

Nushi ka shtuar se janë afër 1 milion euro shpenzime për këtë pako duke marrë parasysh shifrat e të infektuarve që janë deri sot.

Sipas tij, ndihmat emergjente që po ofron Komuna e Prishtinës është granti për bizneset prej 5 milionë euro, granti prej 400.000 euro për fermerët e dëmtuar, pagesa prej 80 eurove për personat me aftësi të kufizuara gjithashtu edhe grantet për familjet në socialë.

Nushi thotë se kanë pasur kërkesa që të mos pranohen vetëm testimet nga IKSHPK por në subvencionim të hynë edhe testet serologjike në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Unë e konfirmoj që edhe ata që e kanë kryer testin serologjik në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe kanë dalë pozitivë do t’u pranohen kurse ata të cilët i kanë kryer në laboratorët privatë nuk do të pranohen”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo mund të jetë ngarkesë shtesë për qendrat e mjekësisë familjare, porse janë përgatitur për këtë gjë.

Nushi thotë se komuna e Prishtinës ndan më pak para për të prekurit me COVID-19 sesa komunat tjera, për shkak se në këtë komunë, numri i të infektuarve është shumë më i madh.

“Ne edhe ditëve të sotme jemi duke iu ofruar familjeve në nevojë pako ushqimore. Vetëm 22 persona që janë të infektuar, kanë kërkuar ndihmë për pako ushqimore dhe higjienike. Pako ushqimore përmban gjëra ushqimore elementare. Vlera deri më tash është 800.000 euro për këto pako”, ka thënë ai.

Në grantet për bizneset kanë aplikuar edhe furrat e barnatoret, s’do të përfitojnë ndihma

Duke folur për bizneset përfituese të granteve, ai ka thënë se do të përfitojnë mbi 16.000 biznese.

Sipas tij, kanë aplikuar shumë biznese nga qytete tjera, porse të njëjtat nuk do të kompensohen.

Nga kjo ndihmë, sipas tij, përjashtohen furrat, pompat e derivateve, barnatoret edhe pse të njëjtat kanë aplikuar.