Ndërmarrja për mbeturinat “Pastrimi” është kompani rajonale e cila operon në gjashtë komuna të Kosovës. Në atë të Prishtinës, kjo ndërmarrje ka kontratë gjashtë mujore përmes së cilës qytetarët paguajnë në komunë për shërbimin që u ofrohet nga “Pastrimit, e vetë ndërmarrja më pas paguhet drejtpërdrejt nga komuna.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”, Urim Kelmendi, në emisionin 038 në KTV këtë mënyrë të pagesës e vlerëson ndihmesë të madhe, ndërsa thotë se gjatë pandemisë atyre u është ndarë edhe një shumë nga kuvendi komunal.
“Është ndihmesë e madhe sepse janë mjete që nuk i inkason me vështirësi por i merr me një pagesë që i lëshon komuna, që është mujore. Kuvendi i komunës me një pako ka miratuar një shumë 50 mijë euro që ia ka dhënë kompanisë Pastrimit, e kemi pasë edhe këtë ndihmesë nga komuna e Prishtinës”, tha ai.
Kelmendi thotë se për shkak se njerëzit gjatë pandemisë me COVID-19 kanë qëndruar më tepër nëpër shtëpi, kanë grumbulluar edhe më shumë mbeturina, por që punëtorët thotë se kanë punuar me tërë kapacitetet.
“Sasia e mbeturinës tek ne nuk është zvogëluar, por është rritur sepse njerëzit po qëndrojnë më shumë nëpër shtëpi por kemi punuar gjatë gjithë kohës me kapacitete të plota”, tha ai.
E sa i përket vështirësive me të cilat përballet kjo ndërmarrje, përmendet ajo kur kontejnerët shpesh në rrugët e kryeqytetit zihen nga makinat e shumta dhe kamionëve të grumbullimit të mbeturinave u vështirësohet puna.
Sipas Kelmendit, kjo u kushton me kohë dhe kosto.
“Këto probleme janë jashtëzakonisht të mëdha sepse nuk ndodhë vetëm tek një pikë por në të gjitha. Më e vështirë është tek zona e parë dhe e dytë e qytetit ku ka fluks më të madh të qytetarëve, ku nuk ka kontroll për parkimin e makinave dhe kafiteritë e rëndojnë më shumë gjendjen dhe ne harxhojmë më shumë kohë dhe kosto”, tha ai.
Nga ndërmarrja “Pastrimi” qytetarët kanë përfituar falje të borxhit prej 20 milionë eurove, ndërsa borxhet që i ka pasur ajo ndaj deponisë nuk i janë falur. Kelmendi thotë se ndërmarrjes i është falur vetëm borxhi nga ATK-ja për tatimet.
“Në gjashtë komuna i kemi dërguar në përmbarues rreth 2 milionë qytetarë”, tha ai.