Arbëri

Prishtina miraton ndihmat për qytetarët në luftën ndaj koronavirusit

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin që për qytetarët e saj nën moshën 65-vjecarë që janë infektuar me sëmundjen COVID-19 të ndahen nga 50 euro. Kurse për personat mbi moshën 65-vjecare shuma e mjeteve të ndara do të jetë 100 euro, ka thënë nënkryetari i komunës, Muhedin Nushi.

“Përfitues do të jenë 13 mijë e 648 raste persona që janë infektuar. Të gjithë personat nën moshën 65-vjecare përfitojnë 50 euro. Mbi moshën 65 vjeç përfitimi do të jetë 100 euro. Përfitues do të jenë të gjithë ata që janë në listën e IKSHPK-së. Në bazë të numrit të letërnjoftimit kushdo që do të paraqitet mund të përcaktohet nëse është banor i Prishtinës apo jo. Ne do t’i eliminojmë ata që nuk janë banorë të Prishtinës. Në aprovimin e buxhetit të ardhshëm mund të ndodhë që kjo shumë mund të rritet, por aktualisht janë këto”, ka thënë ai.

Nushi ka bërë të ditur se nga pako e veçantë me nga 80 euro do të ndihmohen rastet sociale, si dhe sipas tij, nga 80 euro do të ndahen edhe për secilin person me nevoja të veçanta.

“Për rastet sociale nuk e dimë se kush ka qenë i infektuar apo jo. Por e kemi pakon e veçantë që rastet sociale do të marrin 80 euro. Ndihmë nga 80 euro do të marrim secili person me aftësi të kufizuara. Ai që ka qenë i infektuar i merr 50 euro, kurse 80 euro i merr si rast social. Kjo ndihmë nga 50 euro dhe 100 euro është e hapur, nuk ka datë të hapjes apo mbylljes së aplikimit”, ka shpjeguar Nushi.

Të gjitha partitë kanë përkrahur këtë nismë, por ato nga opozita e kanë vlerësuar të vogël shumën e mbështetjes.

Kryetari i këshilltarëve komunal të LDK-së, Halim Halimi, është shprehur se “50 euro janë pak, nuk mbulojnë shpenzimet por sigurisht kryetari i ka analizuar mundësitë”.

“50 euro nuk i përmbushin as nevojat minimale”, është shprehur ai.

Ndërsa Naim Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje është ankuar se në listë mungojnë familjarët e personave që kanë vdekur.

Kumrije Shabani nga PDK-ja e ka quajtur lëmoshë shumën e caktuar nga Komuna.

Propozimvendim është miratuar me 38 vota për.