Arbëri

Pishina e Gërmisë e mbushur me ujë edhe në vjeshtë

Është muaji tetor dhe vera ka 1 muaj që ka përfunduar, por pishina e Gërmisë ende është e mbushur me ujë.

Nga ndërmarrja publike komunale ‘’Sport Marketing’’ për këtë çështje thonë se uji vazhdon të mbushet nga rrjedha e Butovcit dhe se ka edhe një arsye pse uji nuk është zbrazur ende, raporton emisioni 038 në KTV.

Sipas kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje që menaxhon me pishinën, Liridon Llapashtica, në rast të nevojave komunale uji i grumbulluar këtu mund të përdoret edhe për shërbime të tjera.

Një ndër to, sipas tij, mund të ishte shfrytëzimi i ujit për larjen e rrugëve apo shërbime të tjera sanitare.

Derisa thotë se ka pasur edhe propozime të tjera, si ai për krijimin e një hapësire për patinazh gjatë stinës së dimrit.

Gjatë kohës së pandemisë Llapashtica tha se kanë pasur shumë humbje dhe se janë mbuluar vetëm shpenzimet për punëtorët sezonalë.

Deri në një vendim tjetër, sipas tij, ndërmarrja do të vazhdojë drejt përmirësimit të kushteve aktuale në pishinë për të gjithë qytetarët dhe se shpresojnë në normalizimin e situatës.