Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë në EXPRESS Intervistë se me gjithë pandeminë e koronavirusit, kjo drejtori po e vazhdon punën e saj me inspektimet në terren.
Tahiri ka deklaruar se së bashku me inspektorët e AVUK-ut, kanë bashkëpunuar për mbikqyrjen e respektimit të masave nëpër biznese.
Si ka thënë ai, ka pasur edhe mungesa në staf për shkak të infektimit të ndonjë anëtari.
“Ka pasë pjesë të stafit të infektuar, ndonjë inspektor ka munguar dhe kësisoj është dashur që në baza ditore të riorganizohemi. Ka pasur rast që disa inspektorëve të punojnë disa ditë prej orën 8:00 deri në 00:00. Ndonjëherë është dashur riorganizim për mbulim të gjerë”, tha ai.
Tahiri në “Express Intervistën” në KTV, ka deklaruar se sektori i ndërtimit ka vazhduar njësoj edhe gjatë pandemisë dhe kësisoj, komuna e Prishtinës gjatë këtij viti, ka gjithsej 23 vendime për rrënimin e objekteve pa leje.
“Drejtoria e Inspektoratit nuk ka publikuar të gjitha veprimet për rrënimin e objekteve për shkak që nuk duam të bëjmë bujë me këto veprime ndërsa gjoba kryesore që jipet është ajo për rrethojat e punishtes ose tejkalimit të lejes së punës”, ka dekluar Tahiri.
Tutje, ai ka potencuar se brenda një dite ka pasur rast kur Inspektorati ka marrë vendimin për rrënimin e pesë objekteve pa leje. Ai ka përmendur edhe numrin e vogël të inspektorëve që janë në terren dhe pamundësinë për menaxhimin e plotë të gjendjes.
“Kemi vetëm pesë inspektorë dhe gjashtë zyrtarë në ndërtimet pa leje çka është numër tejet i vogël. Në inspekcion është problematike edhe kontrata e përkohshme sepse s’mund të vendosë për rrënimin e një objekti ndërsa s’mund që në secilin sektor, të kemi nga një inspektor”, ka thënë Tahiri për KOHA.
Tutje, sa u përket tejkalimit të lejës për ndërtim, Tahiri ka përmendur se pesha e kamioneve ndërtues është e pamundur të kontrollohet për faktin se nuk funksionojnë matësit e peshës.
“Është e pamundur të kontrollohet pesha e kamionëve pasiqë nuk funksionojnë më matësit e peshës së një makine në mënyrë që të mund të marrim masa. Ky është problem do të mund të kishte zgjidhje nëse Qeveria e Kosovës do angazhohej në këtë drejtim”, ka deklaruar drejtori i Inspektoriatit.
Për taksitë ilegalë që operojnë në Prishtinës, Tahiri ka bërë me dije se duke u nisur nga fakti se nuk ka pasur qarkullim të madh si shkak i koronavirusit, për disa muaj nuk janë marrë me këtë problematikë.
“Për disa muaj nuk jemi marrë me taksitë ilegal sepse s’ka pasur lëvizjes dhe qarkullim të madh ndërsa tashmë jemi kthyer me aksione kundër tyre që gjithashtu, nuk i kemi bërë publike. Numri i taksive të konfiskuara e ka kaluar tanimë numrin treshifror ndërsa shkelësit ua kemi marrë targat dhe i kemi gjobitur”, ka deklaruar ai.
Për aksionet ndaj supermarketeve që bëjnë ndotjen e mjedisit, Tahiri thotë se po bëhen nga inspektorët dhe raportimet e qytetarëve. Sipas tij, inspektorët përveç që i mbikqyrin zonat e tyre, presin edhe ankesat e qytetarëve.