Arbëri

Prishtina me 1090 të infektuar aktivë me koronavirus, Ahmeti bën thirrje të mos nënvlerësohet virusi

Rastet me COVID-19 sa vijnë e shtohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Deri më tani janë infektuar gjithsej 4 mijë e 931 persona, prej të cilëve 2 mijë e 561 janë ende raste aktive.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, deri më tani komuna që ka më së shumti raste aktive është ajo e Prishtinës, me plot 1090 raste aktive me koronavirus, 393 të shëruar dhe 14 vdekje.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që të mos nënvlerësohet rrezikshmëria e koronavirusit.

“Përhapja e shpejtë dhe numri i të rasteve të reja me #covid19 janë vazhdimisht në rritje dhe shqetësuese! Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Falenderojmë ekipet e Inspekcionit dhe Policisë së Kosovës për punën e palodhshme dhe përkushtimin për mbikqyrjen e zbatimt të këtyre masave. Vazhdoni t'i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë!” – ka shkruar Ahmeti.