Arbëri

Tregu i së dielës plot me njerëz, s’respektohen masat

Pa maska e mjete të tjera mbrojtëse, një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë kaluar ditën në tregun e së dielës në kryeqytet. Edhe përkundër thirrjeve dhe rekomandimeve nga institucionet shëndetësore, të paktë ishin ata që i kishin të vendosura maskat.

Por, qytetarët që vizituan treguan pranuan se bartja e maskës është e rëndësishme në këto ditë kur numrat e të infektuarve me koronavirus në vend po shtohen. Kjo vlen sidomos në hapësira si ajo e tregut, i cili vizitohet nga shumë njerëz.

Të tjerë qytetarë thonë se përgjegjëse nuk janë vetëm institucionet shtetërore, porse edhe vetë qytetarët, pasi që duhet të kenë parasysh rrezikun e mundshëm. Ata thanë se joserioziteti i krijuar në luftën me COVID-19 mund të çojë drejt gjendjes edhe më të rëndë se kjo aktuale.

Mosbartjen e maskave dhe rrezikun e përhapjes së virusit, disa prej shitësve në këtë treg e kanë arsyetuar me gjendjen e rëndë ekonomike. Prapa kamerës i kanë thënë ekipit të KTV-së se janë të vetëdijshëm për përhapjen e virusit, porse u duhet të vazhdojnë punën edhe në këto kushte.

Ndërkohë që zyrtarë komunalë nuk janë përgjigjur në pyetjet për lejimin e funksionimit të tregut në këto kushte.