Arbëri

Pishina e Gërmisë mbetet e mbyllur, Llapashtica thotë se i plotësuan kushtet

Më 1 korrik ishte planifikuar që pishina e Gërmisë t’i hapë dyert për vizitorët. Mirëpo kjo nuk u bë e mundur, për shkak se Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar mirëkuptim në favor të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, i cili e menaxhon këtë pishinë, Liridon Llapashtica, thotë për KosovaPress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojnë sot, mirëpo u anulua pasi që Ministria e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptim karshi pandemisë.

“Jemi përgatitur në përputhje me rekomandimet dhe respektimin e masave 100%, mbajtja e maskave, distanca, mandej pastrimi i duarve, masa të cila po kërkohen nën stop. Pse nuk u hap, thjesht unë e mirëkuptova në këtë rast një deklaratë diku pas orës 3-4 pasdite prej Ministrisë së Shëndetësisë, që kërkonte prapë mirëkuptim, po e quaj kështu, që të kemi mirëkuptim karshi pandemisë. Në shenjë mirëkuptimi ne sot, edhe pse kemi qenë gati, dhe kanë ardhur mbi 40 veta staf, punonjës në pishinë që të startojnë sot. Jemi futur edhe në obligime, kjo më shumë se sa nuk po hapët pishina, mund të themë se është një thyerje për të gjithë ata që u desh të informonim punonjësit, që ne nuk mund të startojmë, për të mirëkuptuar prapë Qeverinë”, thotë ai.

Llapashtica bëri të ditur se do t’i respektojnë rekomandimet e Qeverisë, derisa kërkoi nga këta të fundit që më së largu deri në vikend të hapet pishina e Gërmisë.

“Disa institucione tjera, në kuptimin sa i përket pishinave private, e kemi parë që nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë që u tha nga 1 korriku. Prej momentit që është nxehur moti një pjesë e madhe e pishinave janë duke operuar, mandej dy liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci që gjatë vikendit kanë qenë të frekuentuara nga qytetarët. Nuk e di pse gjithmonë te pishina e Gërmisë publike hasim në kuptimin mos e hapni, mirëkuptoni. Jemi të disiplinuar do t’i respektojmë të gjitha rekomandimet, mirëpo edhe ne po kërkojmë nga Qeveria që të na lejohet më së largu që deri në vikend të operojmë, sepse jemi futur në obligime”, vlerëson ai.

Ai i bëri ftesë Ministrisë së Shëndetësisë që t’i bëjë të ditura detajet se kur do të startojë pishina e Gërmisë. Derisa thotë se klori, i cili përdorët për pastrimin e ujit është vrasës për çdo virus dhe bakter.

“I bëjë ftesë ose kërkesë edhe Ministrisë që të na presin në takim dhe të diskutojmë në detaje se kur mund starojmë karshi rekomandimeve...Klori është një element kimik, i cili në ujë përdorët për pastrim, mirëpo është vrasës për çdo virus, por edhe bakterie, kjo do të thotë që në ujë nuk ka rrezik të përhapjes, është vrastar. Jashtë ujit kemi marrë masa të mbahet distanca, çadrat i kemi vendosur në distancë 2 metra”, deklaroi ai.

Ministria e Shëndetësisë, kishte vendosur që më 1 korrik të fillojë operimi i pishinave/KsP.