Arbëri

Komuna nis vendosjen e vendkalimeve të ngritura për t’i parandaluar aksidentet

Për të rritur sigurinë në trafik e për të parandaluar aksidentet Komuna e Prishtinës ka nisur me vendosjen e vendkalimeve të ngritura në disa pjesë të qytetit.

Megjithatë, këto vendkalime nuk janë vendosur në rrugën ‘’Fehmi Agani’’ të kryeqytetit, që sipas qytetarëve paraqet rrezik të madh për ta, raporton emisioni 038 në KTV.

Sipas tyre, Komuna duhet ta ketë prioritet kryesor ngritjen e vendkalimeve në këtë zonë, pasi që, sipas tyre, është pjesë kryesore e qarkullimit të përditshëm të këmbësorëve.

Medina Braha, drejtoreshë për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, thotë se përparësi në ngritjen e vendkalimeve kanë rrugët me katër korsi.

Megjithatë, ajo nuk përjashton mundësinë e intervenimit edhe në pjesë të tjera ku evidentohen probleme.

Braha tutje shton se Drejtoria është në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës për të evidentuar zonat në të cilat ka më së shumti rrezik nga aksidentet si pasojë e shpejtësisë.

Projekti i Drejtorisë së Shërbimeve Publike për vendkalimet e ngritura, sipas Brahës, do të përfundojë brenda muajit qershor.