Arbëri

Nis aksioni për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme në Prishtinë

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi” kanë filluar aksionin pranveror për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, si orendi, shtretër druri ose metali apo gjësende të tjera shtëpiake. Ky aksion ka filluar të hënën dhe do të zgjasë deri të premten.

Përmes një postimi në “Facebook”, Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që në lagjet e caktuara, sipas datave, t’i vendosin mbeturinat para shtëpive të tyre, raporton KOHA.

Dukagjin Gashi nga Komuna e Prishtinës ka treguar për detajet e këtij aksioni.

Sipas tij, qytetarët duhet t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, duke i vendosur para shtëpive të tyre gjësendet shtëpiake që nuk u nevojiten më.

Ndërkohë, Riza Selimi nga kompania “Pastrimi” ka thënë se mbeturina inerte nëpër lagje të Prishtinës ka vazhdimisht.

Ai thotë se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm pasi që këto mbeturina nuk duhet të hidhen në afërsi të kontejnerëve, por duhet dërguar në deponinë e Mirashit.

E Gashi thotë se viteve të fundit Prishtina është më e pastër dhe se vazhdimisht po ngrihet vetëdija e qytetarëve.

Problem për punëtorët e pastrimit në vazhdimësi janë edhe veturat të cilat po parkohen afër kontejnerëve dhe po krijojnë vështirësi për pastrim të vendit.