Arbëri

Komuna e Prishtinës kërkon shkurtim të procedurave të prokurimit

Pandemia COVID-19, si shumë sektorë të tjerë, ka penguar edhe qindra projekte të komunave, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët.

Për të mos mbetur prapa në këtë fushë, secila drejtori e Komunës së Prishtinës është duke i vendosur si prioritete nga pesë projekte që vlerësohen të domosdoshme për t’u përfunduar.

Mirëpo, për të realizuar këtë pa vonesa, kryeqyteti ka kërkuar nga Qeveria që t’i shkurtojë procedurat e gjata të prokurimit, raporton KOHA.

Ky propozim, sipas kryetarit Shpend Ahmeti, mund të përfshihet në Ligjin për Menaxhimin e Pandemisë, i cili është paralajmëruar të miratohet në Kuvend.

Ndërsa, monitoruesit e punës së Komunës kanë mirëpritur idenë e prioritizimit të projekteve kryesore.

Por, shkurtimi i procedurave, sipas INPO-s, mund ta rrisë rrezikun e keqpërdorimit të buxhetit.

I vetëdijshëm për mundësinë e keqpërdorimeve është edhe kryetari Ahmeti, por thotë se për të shpëtuar ekonominë nuk ka zgjidhje tjetër.

Organizata INPO ka kërkuar që edhe projektet tjera të Prishtinës, që janë rreth 100 sosh, të mos lihen anash nga ekzekutivi komunal.