Arbëri

Banorët e lagjes “Shpëtim Robaj” prej mëngjesit janë pa ujë

Foto: Koha / ilustrim

Banorë të lagjes “Shpëtim Robaj” në Prishtinë, që prej mëngjesit të së enjtes, thonë se janë pa ujë.

Sipas tyre, furnizimi me ujë është ndërprerë në mëngjes dhe ende nuk është kthyer.

Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, ka pranuar se furnizimi me ujë në këtë lagje është ndërprerë.

Ajo tregon se ekipet e mirëmbajtjes po mundohen të sanojnë dëmin e shkaktuar në një gyp.

“Ne rrugën ‘Xhavit Ahmeti’ është një defekt në gypin e ujit që furnizon atë pjesë me ujë të pijshëm. Ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit të KRU ‘Prishtina’, ekipi kujdestar tashmë është në vendin e ngjarjes dhe po merret me sanimin e tij. Defekti ne gyp është vërejtur në orët e pasdites, për shkak se ka qenë duke u punuar në gypin e ujit nga çeliku që vjen nga Badoci. Po besojmë se ekipet profesionale operative do ta sanojnë shumë shpejtë. Ne të njëjtën kohë, banorëve u kërkojmë mirëkuptim”, ka thënë zëdhënësja Mjeku.

E banorë të kësaj lagje që kanë kontaktuar KOHËN, thonë se nuk bëhet fjalë vetëm për sot, pasi ndërprerjet e ujit janë të vazhdueshme, gati të përditshme.

“Gati çdo ditë ka ndërprerje të ujit dhe e keqja është se sa herë kontaktojmë Ujësjellësin, na thonë se çdo gjë është në rregull, e ne në fakt nuk kemi ujë”, ka thënë banorja e kësaj lagje Z.R.