Arbëri

Tahiri thotë se që nga fillimi i masave, asnjë gjobë s’është shqiptuar në Prishtinë

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar për punën gjatë pandemisë të drejtorisë që ai udhëheqë.

Ai ka thënë se sot, pas lehtësimit të masave, ka pasur lëvizje të shtuara të qytetarëve. Si Drejtori, ai thotë se janë duke e dhënë maksimumin që të respektohen urdhëresat e dala nga institucionet përkatëse.

Tahiri në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se inspektorët sot kanë qenë në vazhdimësi në terren për të kontrolluar nëse po respektohen masat nga gastronomia, të cilët nga sot mund të kryejnë shërbimin ‘mere me vete’.

“Unë kam parë një vendim të MSH-së në Facebook dhe sigurisht që edhe bizneset janë informuar por ne me ekipet tona të inspektorëve i marrim këto vendime me vete dhe i njoftojmë palët me masat që duhet t’i respektojnë. Në Prishtinë deri tash inspektorati komunal nuk ka pasur nevojë ta shqiptojë asnjë gjobë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Inspeksioni në Prishtinë gjatë kësaj kohe ka pasur bashkëpunim të mirë me bizneset dhe deri tash nuk ka pasur nevojë për shqiptimin e gjobave.

“Bashkëpunimi me bizneset në Prishtinë ka qenë shumë i mirë dhe për këtë arsye nuk ka pasur nevojë të shqiptojmë gjoba, por kemi dhënë vërejtje. Ne kemi dhënë pastaj udhëzim për dezinfektimin e shportave në markete”, ka thënë ai.

Për transportin urban, ai ka thënë se në autobusët e trafikut urban mund të lëvizin vetëm ata që e kanë orën e caktuar të daljes dhe punëtorët e stafit esencial të institucioneve që kanë të drejtë qarkullimi.

Sipas tij, Trafiku Urban ka vendosur që të mos jenë më shumë se 20 persona në autobus.

Tahiri thotë se organet e rendit duhet të ndërhyjnë në qytet për të parë se a e kanë të gjithë orarin për të lëvizur.

Ai tutje ka shtuar se sot nuk janë respektuar masat në trafikun urban, duke shtuar se këta të fundit sot kanë mbajtur mbledhje për të parë se si do të veprohet nga nesër.

“Për fazën e tretë do të shohim se çfarë vendime do të vijnë. Pastaj të gjithë bashkë duhet të nxjerrim vendime që janë të zbatueshme në terren. Pandemia ka ndikuar në ngarkimin e inspektorëve që janë në terren sepse në pjesën e parë është dashur të punohet me rotacion më me pak staf. Por nuk duhet harruar se përveç mbikëqyrjes së zbatimit të masave kemi pas probleme tjera, si tentim për uzurpim të hapësirës publike, tentim për ndërtime pa leje, rrënim pavarësisht që gjërat e tilla nuk i kemi bërë publike”, ka thënë ai.