Arbëri

Komuna e Prishtinës nga nesër do të punojë me kapacitete të plota

Foto: Koha

Të gjithë punonjësit e Komunës së Prishtinës do ta nisin punën në zyrë nga 18 maji, përveç atyre mbi 60 vjeç dhe shtatzënave, ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, teksa ka shtuar se shërbimet për qytetarët nuk janë ndërprerë asnjëherë.

“Në asnjë moment nuk i kemi ndërprerë shërbimet, të gjitha kanë funksionuar. Kemi funksionuar me staf esencial dhe e kemi reduktuar atë, kur ka qenë situata më kritike”, ka thënë ai.

Nushi megjithatë ka shtuar se nga 18 maji, do të jenë në gatishmëri, “se do të fillojë vrulli i punës”. “Presim që të fillojnë të gjithë punëtorët, përveç atyre që janë mbi 60 vjeç dhe punëtoret shtatzëna”, ka thënë ai për EO.

Ai po ashtu ka shtuar se Komuna sivjet do të hasë në vështirësi për realizimin e të hyrave të planifikuara.

Nushi po ashtu ka bërë të ditur se Komuna e ka në përfundim pakon e dytë, e cila ka për qëllim rimëkëmbjen ekonomike, gjë e cila do të ndihmojë bizneset dhe rastet sociale.

Siç potencoi ai, që nga përhapja e virusit, është rritur numri i rasteve sociale, që ka çuar në tre mijë raste.

“Masat lehtësuese do të vijnë në Pakon e dytë. Jemi gati para përfundimit, nuk do të jenë vetëm pako ekonomike, por edhe sociale”, ka deklaruar ai.

“Do të kujdesemi për familjet në raste sociale. Deri para pandemisë kemi pasur 1.700 familje nën përkujdesje sociale, nga pandemia janë shtuar edhe 1 300 kërkesa për ndihma sociale”, ka deklaruar ai.