Turqia përmes agjencionit Tika i ka dhuruar Komunës së Prishtinës 370 pako ushqimore për familjet në nevojë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se pakot do të shpërndahen për rastet sociale.
“Në solidaritet sot na bashkëngjitet edhe Republika e Turqisë. Në momente të vështira dihen miqtë e mirë. Sot fillojmë me 370 pako ushqimore. 300 do t’i shpërndajmë te rastet sociale dhe 70 të komuniteti turk. Pakot përmbajnë miell e vaj, produkte që u nevojiten më së shumti qytetarëve”, tha Ahmeti, raporton KOHA.

Ndërsa ambasadori turk Cagri Sakar, tha se “Bashkëpunimi ka mundësuar që prishtinasit të përfitojnë nga ndihmat e shtetit turk”.
“Kosova është shtet me të cilin jemi në solidaritet edhe para luftës, por kjo pandemi na ka treguar se sa është e rëndësishme të jemi në solidaritet”, tha ai.
Kryetari Ahmeti kur u pyet nëse pajtohet me masat e ashpra të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në detyrë, tha se “në këtë kohë nuk do të them se është dashur kështu e jo ashtu”.
“Dje me masat e reja kemi pasur numrin më të vogël të qytetareve dhe makinave si asnjëherë më parë. Dje kemi pasur vetëm 2 raste. Prej sot punimet për investime kapitale janë të lejuara. Deri më tani nuk kemi indikacione për rritje të numrit të rasteve me virus në Prishtinë. Sot e kemi një listë te re te testimeve, po janë nga rreth 10 testime. Kjo nuk do të thotë që duhet të relaksohemi”.