Policia e Kosovës ka vendosur shirita në sheshet e Prishtinës për të pamundësuar lëvizjen e qytetarëve.
Pjesëtarë të Policisë janë vendosur në sheshe për të ndaluar qytetarët që po kalojnë.
Gjithashtu janë mbyllur të gjitha hyrjet për në sheshe.
Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë shkurt për KOHËN se kjo është masë e Policisë për kufizim të lëvizjes.
Ndërkaq zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i ka thënë KOHËS se shiritat janë vendosur me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune.
“Referuar vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore ndaj pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune. Kjo masë ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit përmes grumbullimit të njerëzve. Policia e Kosovës vazhdon të ftoj qytetarët për respektim të vendimeve dhe njëherit i falënderon për bashkëpunim dhe mirëkuptim”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KOHËN ka thënë se vendosja e shiritave nëpër sheshe është në kuadër të vendimeve të mëhershme.
“Vendosja e shiritave në sheshe është në kuadër të vendimeve të mëhershme, përkatësisht vendimit të Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve për mbylljen e të gjitha parqeve me qëllim parandalimin e grumbullimit të qytetarëve në hapësira të përbashkëta dhe vendimit të mëhershëm të Qeverisë në detyrë për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve në sheshet e hapura. Meqë kjo javë pritet të përcillet me mot me diell, institucionet përgjegjëse kanë vendosur forma të reja që i shërbejnë zbatimit të vendimit për ndalimin e qarkullimit në sheshe me qellim parandalimin e frekuentimit dhe grumbullimit të qytetarëve në këto hapësira”, thuhet në përgjigjen e tyre.
{gallery}