1 perditesime
18:22

Dëmtimi i gypit lë “Ulpianën” pa ngrohje, Termokosi thotë se po e sanon problemin

Për shkak të një dëmtimi të një gypi të ngrohjes Lagja Ulpiana në Prishtinë ka mbetur pa ngrohtoren e qytetit.

Termokosi përmes një komunikate për media bën të ditur se është duke punuar për të sanuar këtë problem sa më parë.

“NP “Termokos” Sh.A, njofton konsumatorët e lagjes “Ulpiana”, se sot në orët e pasdites është identifikuar një rrjedhje në gypin e ngrohjes në afërsi të shkollës “Hasan Prishtina”. Si pasojë e kësaj rrjedhjeje jemi detyruar, që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë lagjen “Ulpiana””, thuhet në komunikatë.

Tutje Termokosi shton se, “ekipet tona janë në terren në përpjekje për të sanuar dëmtimin e gypit të ngrohjes”.

NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve të lagjes “Ulpiana”, derisa të arrijmë të evitojmë problemin e paraqitur dhe të rikthejmë furnizimin me ngrohje.

16:42

Qytetarët në Lagjen Ulpiana ankohen se që tre ditë janë pa ngrohtoren e qytetit

Që tre ditë disa qytetarë në lagjen Ulpiana në Prishtinë janë pa ngrohtoren e qytetit.

Për Koha.net një qytetare ka thënë se derisa ishte moti më i mirë ngrohtoret kanë funksionuar shumë mirë, por këto tre ditët e fundit nuk janë duke funksionuar fare.

Ajo saktëson se bëhet fjalë për “Banesat e Oficerëve” brenda lagjes Ulpiana.

“Në Ulpianë këto dy-tre ditët e fundit i kanë ndalë nxemjet. Kur ishte koha e mirë ato ishin shumë të nxehta, madje jemi detyruar t’i lëmë edhe dritaret hapur. Por, momentalisht ato janë të ndalura, dhe kjo gjendje është që tre ditët e fundit, kur ka filluar i ftohti”, ka thënë kjo qytetare për Koha.net që ka dashur të prononcohet në kushte anonimiteti.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me Termokosin, por nuk janë përgjigjur në telefon.