Arbëri

Dekorimi i lë përkohësisht në terr sheshet e Prishtinës

Ndonëse është bërë dekorimi i shesheve në kryeqytetin e Kosovës, një pjesë e madhe e kësaj hapësire mbetet në terr.

Qytetarët prishtinas janë ankuar, duke dërguar fotografi në adresë të mediave të Grupit Koha.

Një qytetare në kushte anonimiteti i ka thënë portalit Koha.net se e kanë penguar edhe kabllot të shtrira përtokë me të cilat po rregullohen dritat festive nëpër sheshe.

“Nga errësira dhe nga kabllot midis rrugës për pak sa nuk u rrëzova”, ka thënë kjo qytetare.

KTV-ja ka pyetur zyrtarët komunalë për shërbime publike, të cilët kanë thënë se ndriçimi në shesh do të kthehet shpejt.

“Ndriçimi publik është ndalur me qëllim, për të bërë gati ndriçimin festiv dhe për t’i lëshuar së bashku në orën 19:00”, ka thënë njëri nga zyrtarët komunal, që po ashtu nuk deshi që t’i përmendej emri.

“Dritat do të ndizen në ora 19:00. Më herët kemi planifikuar që kjo të përcillet me një organizim, por për shkak të ngjarjeve në Shqipëri e kemi anuluar organizimin”, ka thënë Adrian Berisha, koordinator i organizimit “Prite N’shesh”.